Bajrami një muaj para aktgjykimit: Shpresoj që vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të jetë lirues

Një muaj para shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, profesori i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, ka reaguar lidhur me zhvillimet në këtë proces.

Bajrami e ka cilësuar rastin ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit si një çështje me rëndësi të veçantë juridike, politike dhe historike për Kosovën.

Në një postim, ai ka shprehur kritika lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit dhe procesit gjyqësor, duke thënë se, sipas vlerësimit të tij, janë cenuar disa standarde të shtetit të së drejtës.
“Si profesor i së drejtës kushtetuese dhe jurist, besoj se ky proces ka qenë në kundërshtim me standardet më të larta të shtetit të së drejtës, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të parimeve universale të një gjykimi të drejtë”, ka shkruar Bajrami.

Ai ka theksuar se përtej aspektit gjyqësor, procesi ka rëndësi edhe për mënyrën se si lufta e UÇK-së do të trajtohet në kujtesën ndërkombëtare dhe në historinë e Kosovës.“UÇK-ja nuk e krijoi konfliktin në Kosovë. Konflikti ishte rezultat i politikës represive dhe diskriminuese të regjimit serb ndaj Kosovës”, ka deklaruar ai.

Bajrami ka kundërshtuar çdo përpjekje që, sipas tij, mund ta shkëpusë luftën e Kosovës nga konteksti i saj historik.“Një proces gjyqësor nuk mund ta zëvendësojë historinë. Historia e Kosovës nuk fillon me një aktakuzë dhe nuk përfundon me një aktgjykim”, ka shkruar ai.Profesori ka thënë se, pavarësisht vendimit të Gjykatës Speciale, ai nuk duhet të përdoret si bazë për rishkrimin e historisë së Kosovës.Në fund, Bajrami ka shprehur shpresën që vendimi të jetë i drejtë dhe lirues për ish-krerët e UÇK-së.“

Unë dua të besoj se Gjykata Speciale do të japë një vendim të drejtë, të mbështetur në ligj dhe në standardet më të larta të drejtësisë. Shpresoj që vendimi të jetë lirues”, ka deklaruar ai.Bajrami e ka përmbyllur reagimin me thirrje për unitet politik e shoqëror, duke thënë: “Cilido qoftë vendimi, Kosova duhet të mbetet e bashkuar”.

Artikuj të tjerë

Back to top button