Banorët kërkojnë sqarim rreth vendosjes së laurës në rrugën për në Prevallë

Banorë të Prevallës, Mushnikovës dhe zonës së Zhupës protestuan kundër vendosjes së laurës në hyrje të Parkut Kombëtar “Sharri”, duke kërkuar sqarime nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës lidhur me qëllimin e vendosjes së saj.“Ne si banorë nuk duam rampa, nuk duam barrikada. Duam lëvizje të lirë dhe jetë të lirë. Nuk jemi kundër rampave, por ato duhet të vendosen jashtë rrugës kryesore, jashtë magjistrales, sepse kjo është rrugë rajonale, rruga ER-15″, tha Almir Bajrami, kryetar i Bashkësisë Lokale.

Sedat Bajrami, banor i kësaj ane tha se këtë rrugë e konsiderojnë rrugë rajonale dhe nuk është vetëm e banorëve të Mushnikovës, Sredskës apo të Zhupës.“Në Lumbardh dhe në Zhupë jetojnë shqiptarë dhe boshnjakë. Ne kërkojmë informata dhe takim me ministren, që të marrim sqarime të sakta se çfarë po ndodh dhe cili është qëllimi i vendosjes së kësaj laure, apo rampe”, tha ai

Rafet Kurtishi, mbikëqyrës i zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar “Sharri” theksoi: “Kjo laurë shërben për kontrollin e hyrjes dhe lëvizjes në Parkun Kombëtar ‘Sharri’. Ka filluar të funksionojë nga data 23 qershor. Është vendosur për kontroll, por banorëve dhe pronarëve të pronave private nuk u ndalohet lëvizja. Me leje mund të shkojnë deri te pronat e tyre, vilat apo vikendicat. Askund në botë nuk ndalohet qasja në pronën private”.“Kur e kam parë për herë të parë, këtë objekt e kanë vendosur në vitin 2021. Ne nuk jemi kundër kësaj, por problemi është se kemi toka dhe shtëpi më lart. Si do të shkojmë atje nëse duhet të paguajmë. Ne do të dalim çdo ditë në protesta dhe nuk do të lejojmë që kjo të përfundojë kështu”, tha Bajro Bajrami, banor.

E një tjetër banor tha se kjo rrugë nuk bën të bllokohet.“Kjo është rruga Tetovë-Shkup-Gjilan-Prishtinë-Ferizaj dhe nuk guxon të bllokohet. Nëse duan ta vendosin rampën, le ta vendosin diku tjetër, kah mali. Edhe në atë pjesë duhet të investohet, të bëhen ulëse, ndriçim i rrugës. Deri tani nuk është bërë asgjë”, tha Muhamed Bilall Bajrami, banor.

Ndërkohë, përmes një postimi në Facebook, ministrja në detyrë, Fitore Pacolli, i ka siguruar banorët se asnjë vendim nuk do të merret pa dialog me ta dhe me palët e interesit.

Artikuj të tjerë

Back to top button