Pajisjet e reja në Klinikën e Nefrologjisë jashtë funksionit

Në Klinikën e Nefrologjisë nuk po funksionojnë mikroskopi për analizën e urinës i blerë gjatë vitit 2024, si dhe pajisjet për procedurat e biopsisë së veshkës të sjella në klinikë në fund të vitit të kaluar.
Gjatë muajit prill, Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës kishte shqyrtuar situatën në Klinikën e Nefrologjisë, pas një raporti të një komisioni ad hoc, me ç’rast ishin dhënë rekomandime konkrete për funksionalizimin urgjent të pajisjeve në Klinikën Nefrologjike. Dokumentin e ka siguruar RTK përmes burimeve të saja në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.Sipas vendimit të nënshkruar nga atëherë kryetarja e Bordit Drejtues, Tetore Olloni, kërkohet funksionalizimi i biopsisë së veshkës, aplikimi i vazhdueshëm i plazmaferezës dhe aktivizimi i mikroskopit për analizën e urinës.
Vendimi obligon edhe menaxhmentin e Klinikës së Nefrologjisë që rekomandimet të zbatohen menjëherë. Megjithatë, një muaj më vonë, RTK konfirmoi se një pjesë e këtyre shërbimeve vazhdojnë të mos funksionojnë.Në pyetjen se çfarë bëjnë pacientët që kanë nevojë sot për biopsi të veshkës apo diçka tjetër, përgjigja e stafit të kësaj klinike ishte se ata për momentin po rekomandohen jashtë kësaj qendre.
Drejtuesja, Tetore Olloni, refuzoi të japë intervistë, duke u thirrur në rregulloren e punës së bordit dhe duke theksuar se nuk mund ta komentojë çështjen. Ajo theksoi se bordi funksionon si organ kolegjal dhe se zbatimi i vendimeve raportohet nga njësitë përgjegjëse, mirëpo nuk dha sqarime konkrete se pse rekomandimet nuk janë zbatuar plotësisht dhe kush mban përgjegjësi.



