Banorët në Ramun të Pejës tash e gjashtë ditë pa energji elektrike

Disa familje në fshatin Ramun të Pejës kanë mbetur pa energji elektrike tash e gjashtë ditë, pas rrëzimit të dy shtyllave elektrike nga erërat e forta që përfshinë këtë zonë.
Banori i këtij fshati, Adem Berisha në një prononcim
ka bërë të ditur se situata vazhdon të jetë e njëjtë prej disa ditësh, pa asnjë ndërhyrje për riparim.
Sipas tij, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për ndërhyrje, deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete nga institucionet përgjegjëse.
Ai ka shtuar se shtyllat elektrike janë dëmtuar dhe duhet zëvendësimi i tyre.
“Dy shtylla elektrike janë rrëzuar nga erërat e forta. Ekipet kanë ardhur dhe e kanë ndërprerë rrymën, pasi ka pasur rrezik për kalimtarët, por më pas askush nuk është kthyer për ta rregulluar problemin”, ka deklaruar Berisha.
Ndërsa familjet po përballen me vështirësi të shumta për shkak të mungesës së energjisë elektrike në këto temperatura të ulëta.



