
Organizata BIRN Kosova ka dalë me një sqarim publik pas reagimeve të fundit të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së dhe njoftimit të vet RTK-së, lidhur me përmbarimin e detyrueshëm të borxheve.
Në reagimin e saj, BIRN thekson se vendimi për përmbarim është përfundimtar dhe lidhet me një borxh që RTK ka ndaj kësaj organizate që nga viti 2019, për bashkëprodhimin e emisioneve hulumtuese “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”.
Sipas BIRN-it, shuma prej 151 mijë euro përfaqëson obligime të papaguara për mbi 100 emisione, për të cilat RTK ka pasur detyrim të mbulojë një pjesë të kostove. Organizata thekson se këto mjete kanë qenë të parapara në buxhetet vjetore të RTK-së përmes Ligjit për Buxhetin, por nuk janë ekzekutuar nga menaxhmentet përkatëse.
BIRN sqaron se procesi gjyqësor për këtë çështje ka nisur që nga viti 2021 dhe ka kaluar nëpër të gjitha instancat, deri te Gjykata e Apelit, e cila ka marrë vendim për përmbarimin e detyrueshëm.
Po ashtu, organizata thekson se gjatë gjithë kësaj periudhe ka shprehur gatishmëri për arritjen e marrëveshjeve për pagesë me këste, por sipas tyre, këto oferta janë refuzuar vazhdimisht nga menaxhmentet e RTK-së.
“Për shkak të refuzimit të vazhdueshëm për marrëveshje dhe vonesave të panevojshme, jemi detyruar t’i drejtohemi rrugëve ligjore, fillimisht përmes përmbaruesit e më pas deri në Gjykatën e Apelit”, thuhet në reagim.
BIRN gjithashtu ka ngritur shqetësim për atë që e quan “fushatë shpifëse” ndaj organizatës dhe punës së saj, duke bërë të ditur se tashmë janë dorëzuar disa padi për shpifje dhe fyerje.
Në reagim përmendet edhe largimi i emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” nga skema programore e RTK-së, që sipas BIRN-it ka ndodhur në mënyrë arbitrare.
Në fund, BIRN Kosova ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar, duke theksuar se mbështet një RTK të pavarur, profesionale dhe të fuqishme, si dhe u ka bërë thirrje mediave që të raportojnë në mënyrë të balancuar dhe të kërkojnë qëndrimin e të gjitha palëve të përfshira.



