EKSKLUZIVE/ Këta janë zyrtarët komunal në Suharekë që akuzohen se keqpërdorën detyrën zyrtare

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, prej të cilëve katër janë zyrtarë komunalë, ndërsa dy të tjerë janë pronarë të operatorëve ekonomikë, shkruan TandemPress.

Burime të TandemPress kanë kofirmuar se zyrtarët komunal janë: Driton Maliqaj, Enver Shabani, Isuf Hajdaraj, dhe Ardian Kotorri.

Zyrtarët komunal dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”

Sipas aktakuzës, të pandehurit Driton Maliqaj, dhe Ardian Kotorri, në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, me qëllim që t’i mundësojnë përfitim apo çfarëdo dobie pasurore për vete ose për personin tjetër i tejkalojnë detyrat e tyre zyrtare dhe gjatë zbatimit të kontratës për ndërtimin e rrugëve lokale “Fejzë Koliqi – Gashi”, “Smajl Sadria” dhe “Isuf Meta” në fshatin Javor, kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat e Rregullores për Prokurim Publik, duke aprovuar realizimin e punimeve dhe lejuar pagesa në vlerë prej 29,458.20 euro, ndonëse kontrata nuk ishte realizuar në tërësi, pasi rruga “Fejzë Koliqi – Gashi” nuk ishte ndërtuar fare. Me këto veprime, operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm në shumën prej 9,050 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material.

Ndërsa të pandehurit Enver Shabani dhe Isuf Hajdaraj, në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, lidhur me projektin për ndërtimin e rrugëve lokale “Hafir Gashi”, “25 Gushti” në fshatin Javor dhe “Osman Dalipi” në fshatin Luzhnicë, kanë aprovuar realizimin e punimeve dhe kanë lejuar pagesa në shumën prej 17,124.10 euro, edhe pse ishin në dijeni se rrugët “Hafir Gashi” dhe “25 Gushti” nuk ishin ndërtuar fare. Me këto veprime, sipas aktakuzës, operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm në shumën prej 6,439.82 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material.

Përveç këtyre zyrtarëve komunalë aktakuzë është ngritur edhe ndaj dy bisnesmenëve TandemPress mëson se janë Xhevat Kokollari dhe Avni Seferaj.

Ndërkaq, të pandehurit Xhevat Kokollari dhe Avni Seferaj në cilësinë e personave përgjegjës të operatorëve ekonomikë kontraktues, akuzohen se nuk kanë realizuar të gjitha punimet e parapara me kontratat e prokurimit publik, ndërsa kanë paraqitur dokumentacion sikur punimet ishin përfunduar në tërësi, duke përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme dhe duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit e lartcekur, për veprat penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, si dënim plotësues, ka kërkuar ndalimin e ushtrimit të funksioneve në shërbimin publik për të pandehurit.


Xhevat Kokollari dhe Avni Seferaj akuzohen për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”./TandemPress/

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Artikuj të tjerë

Back to top button