Elezi: Rinumërimi i vendvotimeve përfundon sot, rezultatet përfundimtare shpallen së shpejti

Procesi i rinumërimit të vendvotimeve po shkon drejt përfundimit dhe pritet të mbyllet gjatë ditës së sotme, ka bërë të ditur Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas Elezit, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve po zhvillohet dita e fundit e rinumërimit për vendvotimet për të cilat KQZ kishte marrë vendim më herët.
“Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve po vazhdon dita e fundit e procesit të rinumërimit të vendvotimeve për të cilat është vendosur më herët nga KQZ-ja. Në proces kanë mbetur të përfshihen më pak se 60 vendvotime që i përkasin tri komunave: Prishtinë, Suharekë dhe Shtërpcë,” ka deklaruar Elezi për EO.
Ai theksoi se i gjithë procesi pritet të përfundojë brenda ditës, ndërsa lidhur me rezultatet përfundimtare, KQZ do të veprojë sipas procedurave ligjore.
“Procesi i rinumërimit do të përmbyllet gjatë ditës së sotme, ndërkaq lidhur me rezultatet përfundimtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të caktojë mbledhjen e radhës, ku në rend të ditës do të jetë shpallja e rezultateve përfundimtare, dhe për këtë do të njoftojmë me kohë,” shtoi ai.
Pas përmbylljes së rinumërimit, KQZ pritet të njoftojë opinionin publik për hapat e mëtejshëm drejt shpalljes zyrtare të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.



