Ferizaj, ndëshkohen tre shoferë për kundërvajtje të rënda në trafik, njëri voziti 161 km/h në zonën 50 km/h

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se ka ndëshkuar tre shoferë për kundërvajtje të rënda në trafik.Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka njoftuar se ka ndaluar në rrugën magjistrale, në fshatin Rakaj, një automjet të tipit “Audi” me targa të huaja. Gjatë kontrollit është konstatuar se drejtuesi i automjetit N.B., 28-vjeç, po lëvizte me shpejtësi 161 kilometra në orë, në një segment rrugor ku kufizimi i lejuar është 50 km/h.Për këtë kundërvajtje, ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, janë regjistruar 5 pikë negative dhe i është ndaluar drejtimi i automjetit për 6 muaj.

Në një rast tjetër, Policia i ka shqiptuar shoferit D.Ç, 23-vjeç, masën mbrojtëse të heqjes së patentë-shoferit për 12 muaj, pasi gjatë periudhës 26 gusht 2025 – 9 qershor 2026, si pasojë e disa kundërvajtjeve të rënda në trafik kishte grumbulluar 10 pikë negative.

Po ashtu, në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, Policia ka ndaluar një automjet të tipit “Opel Vivaro” me targa vendore, pasi drejtuesi A.H., 23-vjeç, kishte kryer tejkalim në vijë të plotë dhe në vendkalim për këmbësorë, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.
Për këtë shkelje, ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 200 eurosh, janë regjistruar 2 pikë negative dhe i është ndaluar drejtimi i automjetit për 3 muaj.

Policia bëri të ditur se rasti i fundit është evidentuar falë një raportimi të një qytetari përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të qytetarëve në identifikimin dhe parandalimin e shkeljeve që cenojnë sigurinë në komunikacion.

Artikuj të tjerë

Back to top button