Gjykata i liron nga akuza katër të pandehurit për krim të organizuar dhe shit-blerje të narkotikëve

Gjykata Supreme ka marrë vendim, me të cilin ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të dyshuarve Afrim Derjani, Mirlind Bislimi, Sahit Shabani dhe Mufail Shabani, të cilët dyshohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Blerja, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Shpëlarja e parave”.

Katër të pandehurit u liruan për t’u mbrojtur në liri, me arsyetimin se Prokuroria nuk e respektoi afatin për parashtrimin e kërkesës për vazhdimin e masës së paraburgimit.

“Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të Afrim Derjani, Mirilind Bislimi, Sahit Shabani dhe Mufail Shabani, ndryshohet aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special i datës 21.07.2026, ashtu që ndaj të pandehurve, sot me datë 06.08.2026, ndëpritet paraburgimi dhe të njëjtit lëshohen për t’u mbrojtur në liri”, thuhet në vendimin e Supremes të marrë më 6 gusht 2026, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendim kishte hedhur si të pasafatshme kërkesën e Prokurorisë Speciale të datës 8 korrik 2026, të pranuar në Gjykatë më 13 korrik 2026 për vazhdimin e paraburgimit ndaj katër të pandehurve, duke konstatuar se kërkesa u dorëzua në ditën e skadimit të masës së paraburgimit. Më pas, Gjykata e Apelit më 21 korrik 2026 kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale, duke ndryshuar aktvendimin e  Themelores dhe ua vazhdoi të pandehurve masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj.

Kundër vendimit të Apelit, kishin ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme, mbrojtësit e të pandehurve Afrim Derjani, Mirlind Bislimi, Sahit Shabani dhe Mufail Shabani, avokatët Abit Asllani, Fitim Shabani, Avni Ibrahimi dhe Admir Salihu, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale, duke kërkuar nga Supremja, që aktvendimin e kundërshtuar ta anulojë, ashtu që të mbrojturve të tyre t’iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të lirohen menjëherë për t’u mbrojtur në liri.

Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Artikuj të tjerë

Back to top button