Hamza: Pezullimi i dialogut strategjik me SHBA-të është periudha më e errët sepse bashkë kemi bërë luftën dhe e kemi arritur lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin

Kryetari i Mitrovjcës dhe ish kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka reaguar ashpër ndaj pezullimit të dialogut strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një lajm shumë të keq për Kosovën.

Hamza ka theksuar se SHBA-të kanë qenë dhe mbeten aleati më i rëndësishëm i Kosovës, duke kujtuar rolin e tyre në rezistencën paqësore, luftën për liri, pavarësi dhe shtetndërtim. Sipas tij, vendimi për pezullimin e dialogut është pasojë e veprimeve të Qeverisë së Kosovës dhe përbën periudhën më të errët në historinë e re të vendit.

“Ky është një lajm i keq për Kosovën, por njëkohësisht besoj se nuk ka qenë vendim i lehtë as për qeverinë amerikane”, ka thënë Hamza, duke shtuar se tani shteti dhe populli i Kosovës përballen me një sfidë ekzistenciale, ku marrëdhëniet me SHBA-në po rrezikohen seriozisht, bashkë me të ardhmen e vetë Kosovës.

Ai ka rikujtuar se këto marrëdhënie nuk janë vetëm çështje diplomacie, por garancia më e fortë për ekzistencën dhe stabilitetin e Republikës së Kosovës. Hamza ka kritikuar periudhën e “mjegullës, kaosit institucional dhe polarizimit me aleatët”, duke e konsideruar atë si dëm të madh për vendin.

Në fund, ai ka bërë apel që të tejkalohen egot personale dhe të arrihet unitet për të mbrojtur shtetin. “Kosovën duhet ta rikthejmë në rrugën euroatlantike, në partneritet strategjik me SHBA-në dhe BE-në”, ka deklaruar Hamza.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button