Haxhiu: Kërkesat për takime me opozitën do të vazhdojnë, seanca për presidentin thirret kur të krijohen kushtet

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se duhen përpjekje maksimale nga të gjitha partitë që të arrihet një konsensusi për zgjedhjen e presidentit të ri.

Ajo ka thënë se kërkesat e VV-së për takime me partitë tjera rreth kësaj çështje do të vazhdojnë.

Kryeparlamentarja ka paralajmëruar se seanca për presidentin do të thirret kur të krijohen kushtet.

Unë mendoj që kjo çështje i takon niveleve dhe grupeve parlamentare, diskutimeve që do të bëhen në këtë drejtim. Në anën tjetër, në ditën kur ne kemi pasur përpjekje për ta zgjedhur presidentin e vendit, pra me 5 mars konkretisht, nëse i rikthehemi asaj seance, unë kam thënë në fund që seanca do të vazhdojë kur të plotësohen kushtet për këtë. Pra unë nuk e kam mbyllur seancën, unë e kam ndërprerë atë, sepse natyrisht që ka dallim edhe nëse bazohemi në aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj seanca do të vazhdojë në momentin që do të krijohen kushtet”, ka thënë ajo.

Sipas saj, para thirrjes së kësaj seance nevojiten diskutime serioze në mes të partive politike. 

Deri atëherë nevojiten diskutime serioze, pra jo në aspekte të tilla procedurale, por diskutime serioze nëse duam apo nuk duam përnjëmend ta zgjedhim presidentin. Për faktin se është e rëndësishme që ajo që thuhet në takime të mbyllura të jetë qëndrim real dhe jo vetëm diskutim sa për të thënë. Prandaj në këtë drejtim i ftoj të gjitha subjektet politike që të bëjnë përpjekje maksimale. Kryetari i Vetëvendosjes, kryeministri Kurti ka kërkuar takime me subjektet, ju e dini sepse kjo është bërë publike”, është shprehur ajo, duke ftuar partitë opozitare që të reflektojnë. 

Natyrisht që kërkesat për takime do të vazhdojnë, por në anën tjetër nevojitet edhe vullneti i palës tjetër. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes më së shumti i ka 66 vota, por kjo është e pamjaftueshme për ta zgjedhur presidentin e vendit sepse nevojiten 80 vota në kuti të paktën në dy raundet e para. Në këtë pikë mendoj që është shumë i rëndësishëm kontributi i të gjitha palëve, por kontributi të jetë serioz sepse mendoj që pajtohemi që vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja sepse zgjedhjet sapo i kemi përfunduar, qytetarët kanë folur, kanë dhënë mesazhin e tyre, prandaj kemi shumë punë për të bërë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo nuk ka treguar se kur do të ftohen liderët e partive opozitare për takim.

Para se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, lideri i VV-së, Albin Kurti, i kishte takuar disa herë kryetarin e PDK-së dhe atë të LDK-së.

Madje, Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun, Albin Kurti i kishte ftuar për takim edhe para një jave. 

Hamza dhe Abdixhiku kishin refuzuar këtë takim, duke thënë se këto takime mund të ndodhin vetëm pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo e fundit, aktgjykimin për këtë çështje e ka publikuar të mërkurën. Aktgjykimi në fjalë e ka shpallu nul aktgjykimin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, ndërsa i ka dhënë afat Kuvendit edhe 34 ditë për të zgjidhur presidentin e ri.

Në të kundërtën, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

Artikuj të tjerë

Back to top button