Në kuadër të Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji, KosovaMed ishte pjesë e një aktiviteti sensibilizues dhe shëndetësor të organizuar në qendër të Vushtrrisë, me fokus promovimin e kujdesit për nënën dhe fëmijën, si dhe ofrimin e këshillave profesionale për qytetarët.
Aktiviteti u realizua në bashkëpunim me QKMF “Dr. Safet Idrizi” – Vushtrri dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Shëndetësisë, duke sjellë profesionistët shëndetësorë më pranë qytetarëve.
Në tendën e vendosur në qendër të qytetit, nënat, familjet dhe qytetarët patën mundësi të marrin këshilla rreth rëndësisë së ushqyerjes me gji, ndërsa u ofrua edhe këshillim për hipertensionin, diabetin dhe parandalimin e sëmundjeve të tjera.
“Ushqyerja me gji është shumë më tepër se ushqim. Është afërsi, mbrojtje dhe siguri, si dhe një nga lidhjet e para dhe më të veçanta që krijohet mes nënës dhe fëmijës”, u tha gjatë aktivitetit.
KosovaMed kontribuoi në këtë iniciativë edhe përmes një donacioni, me synimin për të mbështetur profesionistët shëndetësorë dhe aktivitetet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet.
“Për ne, kujdesi shëndetësor nuk duhet të përfundojë te dera e institucionit shëndetësor. Kujdesi duhet të vazhdojë edhe aty ku pacienti ndihet më i sigurt – në shtëpinë e tij”, theksohet nga KosovaMed.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, KosovaMed po mbështet edhe shërbimin shëndetësor shtëpiak në bashkëpunim me QKMF “Dr. Safet Idrizi” dhe Komunën e Vushtrrisë. Ky shërbim synon që kujdesin profesional ta çojë te pacientët që e kanë më të vështirë të vizitojnë institucionet shëndetësore.
Shërbimi shëndetësor shtëpiak ofrohet pa pagesë, në ambientin e shtëpisë së pacientit.
📞 +383 43 888 917
📞 +383 43 888 697
Nga KosovaMed thonë se synimi është që kujdesi të jetë pranë çdo qytetari.
“Pranë nënës dhe fëmijës. Pranë të moshuarit. Pranë pacientit që ka nevojë për kujdes. Pranë çdo familjeje që na hap derën e shtëpisë së saj.”
Përmes kësaj iniciative, KosovaMed synon të vazhdojë kontributin e saj në mbështetje të shëndetit publik dhe të sjellë shërbimet dhe kujdesin shëndetësor më afër qytetarëve të Vushtrrisë.



