Kolgeci kritikon ndarjen e subvencioneve në Suharekë: Paraja publike nuk duhet të menaxhohet mbi baza partiake

Ish-asamblisti i LDK-së në Suharekë, Selman Kolgeci, ka kritikuar mënyrën e ndarjes së subvencioneve nga Drejtoria për Kulturë, Rini, Sport dhe Mërgatë në Komunën e Suharekës.

Kolgeci ka ngritur shqetësime edhe për qasjen në dokumentet që lidhen me ndarjen e subvencioneve, duke thënë se për sigurimin e tyre ka qenë e nevojshme ndërhyrja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).

“Është shqetësuese që për të siguruar dokumente që duhet të jenë publike, është dashur të ndërhyjë Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), në mënyrë që Drejtoria për Kulturë, Rini, Sport dhe Mërgatë në Komunën e Suharekës të na i përcjellë dokumentet për ndarjen e subvencioneve”, ka deklaruar Kolgeci.

Sipas tij, kur bëhet fjalë për menaxhimin e parasë publike, transparenca nuk duhet të kërkohet me insistim.

“Kur bëhet fjalë për menaxhimin e parasë publike, transparenca nuk duhet të kërkohet me insistim, e aq më pak të bëhet e mundur vetëm pas ndërhyrjes së një institucioni mbikëqyrës. Dokumentet publike duhet të jenë të qasshme për qytetarët dhe subjektet e interesuara”, ka thënë ai.

Kolgeci ka kërkuar që ndarja e subvencioneve në kulturë, rini dhe sport të bëhet mbi kritere të qarta dhe të matshme.

“Ndarja e subvencioneve në kulturë, rini dhe sport duhet të jetë një proces i drejtë, transparent dhe i bazuar në meritë. Paraja publike nuk bën të menaxhohet në forma që krijojnë dyshime për padrejtësi apo favorizime”, është shprehur Kolgeci.

Ai ka pretenduar se në disa raste niveli i mbështetjes financiare nuk po përputhet me aktivitetin dhe rezultatet e klubeve dhe organizatave joqeveritare.

“Ka shqetësime të vazhdueshme se përkatësia politike apo afërsia me pushtetin lokal, konkretisht me AAK-në në komunën tonë, po ndikon më shumë sesa puna dhe rezultatet konkrete”, ka deklaruar ish-asamblisti i LDK-së.

Kolgeci ka thënë se një qasje e tillë mund t’i demotivojë OJQ-të dhe klubet sportive që kontribuojnë në komunitet.

“Ka edhe raste konkrete kur ekipe që garojnë në Superligë kanë përfituar mbështetje minimale në raport me sukseset dhe rezultatet që tregojnë, vetëm pse drejtuesit e tyre nuk janë mbështetës të pushtetit aktual lokal”, ka thënë ai.

Megjithatë, Kolgeci ka theksuar se nuk është kundër subvencioneve, por kërkon që ato të ndahen në bazë të meritës.

“Dua të theksoj qartë se nuk jam kundër ndarjes së subvencioneve. Përkundrazi, jam për rritjen e mbështetjes dhe për një ndarje të drejtë, të bazuar në meritokraci. Por këto mjete duhet të ndahen mbi bazën e aktivitetit, performancës, rezultateve dhe transparencës, e jo mbi baza partiake”, ka theksuar Kolgeci.

Në fund, ai ka kërkuar rishikimin e mënyrës së ndarjes së subvencioneve dhe vendosjen e kritereve të barabarta për të gjithë përfituesit.

“Paraja publike duhet të shkojë aty ku ka punë, rezultate dhe ndikim konkret në komunitet. Vetëm përmes transparencës, meritokracisë dhe trajtimit të barabartë mund të rikthehet besimi i qytetarëve”, ka përfunduar Kolgeci.

Artikuj të tjerë

Back to top button