Konjufca në takim me Terras, temë aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.
Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, procesin e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare, si dhe për procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës.
Sipas njoftimit të MPJD-së, Konjufca vlerësoi rolin e Parlamentit Evropian në mbështetjen e aspiratave evropiane të Kosovës dhe e falënderoi Terras për angazhimin e tij në raport me zhvillimet në vend.
Në këtë drejtim, ai theksoi rëndësinë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të marrë vëmendjen e merituar, duke i hapur rrugë avancimit drejt statusit të vendit kandidat dhe negociatave për anëtarësim”.
Republika e Kosovës mbetet e angazhuar maksimalisht për avancimin e rrugës evropiane, thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e hapave të nevojshëm drejt integrimit të plotë në BE”, theksohet më tutje në njoftim.


