KQZ: Deri në mesjavë pritet të përfundojë numërimi i votave me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve synon që numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga votimi përmes postës jashtë Kosovës të përfundojë deri në mesjavë.

Ndërsa, më pas do të nisë procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se gjatë fundjavës është realizuar një pjesë e konsiderueshme e procesit të numërimit të votave të ardhura me postë.

Ai ka njoftuar se nga gjithsej 85,790 pako të tërhequra nga kutitë postare, në procesin e numërimit do të përfshihen mbi 82 mijë zarfe, ndërsa një pjesë janë refuzuar për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm.

Elezi ka shtuar se paralelisht me përfundimin e këtij procesi po bëhen përgatitjet për numërimin e votave me kusht dhe atyre të votuesve me nevoja të veçanta.

“Derisa të përfundojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës, do të përgatitet procesi për fillimin e numërimit të votave nga votimi me kusht, i cili është mundësuar në 52 vendvotime me kusht ku janë evidentuar 8,751 votues dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta i mundësuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile dhe ku kanë qenë të regjistruar për këtë lloj votimi 3,144 votues”, ka deklaruar Elezi.

Duke folur për procesin e rinumërimit, Elezi ka deklaruar se KQZ-ja do të vendosë për rinumërimin e deri në 10 për qind të vendvotimeve të rregullta, pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave të mbetura.

Artikuj të tjerë

Back to top button