Krejt çka ndodhi në seancën e mbrëmshme për presidentin

Tensione të larta politike dhe paqartësi kushtetuese kanë shoqëruar procesin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar procedurat në mungesë të opozitës, duke thelluar kësisoj përplasjet mbi ligjshmërinë e votimit dhe kuorumin në Kuvend.
Pa praninë e partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka proceduar me votimin e dy kandidaturave të reja për presidente të Kosovës, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, gjatë një seance të mbajtur të hënën në mbrëmje, pas orës 21:00.
Kjo seancë u thirr më pak se një orë pas përfundimit të një tjetër seance për të njëjtën çështje, e cila gjithashtu u bojkotua nga opozita. Në rundin e parë të votimit të fshehtë, Rushiti mori 63 vota, një votë rezultoi e pavlefshme, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë votë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se seanca do të vazhdojë të martën në orën 10:00.
Procesi është shoqëruar me reagime të ashpra nga opozita. Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, e cilësoi zhvillimin si “puç kushtetues”, duke argumentuar se rundi i parë nuk mund të konsiderohet i vlefshëm për shkak të mungesës së kuorumit.
Në të njëjtën linjë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, akuzoi LVV-në për “përmbysje të rendit kushtetues”.
Edhe nga shoqëria civile ka pasur kritika. Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, deklaroi se veprimet e ndërmarra përbëjnë shkelje të hapur të Kushtetutës së Kosovës. Sipas tij, për të proceduar me zgjedhjen e presidentit, në sallë duhet të jenë të paktën 80 deputetë.
“Mungesa e kësaj shumice tregon për qëllime jo të mira të partisë në pushtet,” tha ai, duke shtuar se edhe tërheqja e kandidaturave të mëparshme dhe nënshkrimeve përkatëse ngre dyshime për shkelje të Rregullores së Punës së Kuvendit.
Në seancën paraprake, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku nga LVV kishin tërhequr kandidaturat e mëparshme për presidente.
Deputetët e legjislaturës së dhjetë kanë afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri. Nëse kjo nuk ndodh, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.



