“Kur pushteti fsheh të vërtetën, përndjek gazetarët”, Rama për etiketimet ndaj Jupollit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas sulmeve dhe etiketimeve ndaj moderatorit të emisionit “DPT me Fidanin” në Klan Kosova, Fidan Jupolli.

Përmes një reagimi në Facebook, Rama shkroi se fushata kundër Jupollit shpërfaq atë që ai e cilëson si aparat propagandistik të organizuar dhe financuar nga strukturat e Vetëvendosjes.

“Kur pushteti fsheh të vërtetën, fillon t’i përndjekë gazetarët! Fushata linçuese kundër gazetarit Fidan Jupolli vetëm sa e shpërfaq edhe një herë aparaturën propagandistike, të organizuar dhe financuar nga strukturat e VV-së, të cilat sot, fatkeqësisht, i kemi në pushtet.Fidani nuk është gazetari i vetëm. Një nga një janë sulmuar të gjithë ata që thonë të vërtetën në këtë vend”, shkroi Rama

Ai u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë se kush qëndron prapa këtyre sulmeve, kush i financon dhe kush i organizon ato.

Njëherësh, Rama e ka cilësuar të patolerueshme gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet për likuidim e pushkatim, duke kërkuar që kjo dukuri të marrë fund.

“Merre me mend, jepen pare që njerëzit me të fy me nanë, me gru, me fëmijë, me komb e flamur! Narrativa e tyre ka arritur deri aty sa njerëzit të bëjnë publikisht thirrje për likuidimin dhe pushkatimin e heronjve tanë. Kjo është çmenduri! Kjo është e patolerueshme! Organet e drejtësisë e kanë për detyrë të hetojnë kush janë këta njerëz. Kush i financon? Kush i organizon? Kush i nxit? Edhe pse drejtësia i di përgjigjet, si krejt na! Është koha e fundit që kjo epokë e turpshme e linçimit, urrejtjes dhe përçarjes të marrë fund!”, tha i pari i kryeqytetit.

Artikuj të tjerë

Back to top button