Kush duhet ta rregullojë “Inteligjencën Artificiale” në Kosovë?

Shkruan: Alban Zeneli, profesor në UP, departamenti i Gazetarisë

Rregullimi i të ashtuquajturës Inteligjencës Artificiale (IA) në Kosovë duhet të ndërtohet mbi parimin e forcimit të rregullatorëve ekzistues sektorial, duke u pajisur ata me bazë të qartë ligjore dhe kompetenca specifike për trajtimin e përdorimit të kësaj teknologjie brenda fushveprimit të tyre. Kjo qasje është më e qëndrueshme dhe më proporcionale sesa krijimi i një autoriteti të vetëm qendror për rregullimin e IA-së, i cili do të tentonte të vendoste rregulla uniforme për të gjitha sektorët, pa marrë parasysh dallimet thelbësore ndërmjet tyre.

Krijimi i një autoriteti të vetëm për rregullimin e IA-së do të përbënte rrezik real të mbirregullimit (overregulation) dhe të cenimit të lirive themelore, sidomos në sektorë të ndjeshëm si media, financat dhe proceset zgjedhore. Asnjë autoritet nuk mund të jetë “gjitholog”, pra të ketë njëkohësisht ekspertizë të thellë në gazetari, financa, të drejtë zgjedhore, industri dhe teknologji informative. Një qasje e tillë do të çonte në centralizim të tepruar të pushtetit rregullator dhe në ndërhyrje joproporcionale në fusha të ndryshme shoqërore.

Shembull në sektorin e mediave, rregullatori përkatës është Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM). Nëse rregullimi i IA-së do t’i besohej një autoriteti të vetëm qendror, në mungesë të njohurive sektoriale, ekziston rreziku që përdorimi i IA-së në prodhimin dhe shpërndarjen e përmbajtjes mediale të trajtohet në mënyrë represive dhe të cenojë lirinë e shprehjes, pluralizmin medial dhe pavarësinë editoriale. Në vend të kësaj, KPM-ja duhet të pajiset me bazë ligjore për të rregulluar përdorimin e IA-së në media përmes: detyrimit për transparencë të përmbajtjeve të gjeneruara nga IA; vendosjes së standardeve për etiketime të qarta të përmbajtjeve mediale që janë gjeneruar me IA; parandalimit të dezinformatave të prodhuara me ndihmën e IA-së dhe mbrojtjes së të drejtave të audiences/publikut në raport me mediat. Duke replikuar kështu në mënyrën e duhur vetrregullimin që tashmë e ka bërë Këshilli i Mediave të Shkurara të Kosovës për mediat online për këtë teknologji.

Ngjashëm si në fushën e medias, në sferën e mbrojtjes së të dhënave personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) është institucioni kyç për mbrojtjen e të dhënave personale. Duke qenë se IA mbështetet në përpunimin masiv të të dhënave, ky insitucion duhet të forcohet me kompetenca që mbikëqyrin vendimmarrjen e automatizuar për këto të dhëna, parandalimin e diskriminimit nga algoritmet e bazuara në të dhëna dhe kontrollin e përputhshmërisë së sistemeve të IA-së me standardet e mbrojtjes së të dhënave. Duke shtuar këtu edhe ndoshta shembullin e shteteve që kanë vënë në kuadër të të drejtave të autorit edhe fotografitë, zërin e të dhënat tjera të qytetarëve, duke i vënë në mbrojtje nga mundësia e ripërpunimit me teknologjinë IA.

Në kuadër të kësaj qasje sektoriale, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) duhet t’i jepet autoritet i posaçëm ligjor për mbikëqyrjen dhe sanksionimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale në fushatat politike dhe proceset zgjedhore. IA po përdoret gjithnjë e më shumë për krijimin e përmbajtjeve politike, targetimin e votuesve dhe automatizimin e komunikimit elektoral, çka mund të ndikojë drejtpërdrejt në integritetin e zgjedhjeve.

Po ashtu, në kuadër të luftës kundër dezinforimit me bazë politike, sidomos në fushata zgjedhore, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve duhet të ketë kompetencë për të sanksionuar partitë politike që nuk e përdorin IA-në në mënyrë transparente, veçanërisht në rastet kur përmbajtjet politike të gjeneruara ose të manipuluara nga IA nuk deklarohen qartë si të tilla, apo përdoren algoritme për targetim politik pa informim publik bazë.

Kjo qasje sektoriale në rregullimin e kësaj teknologjie do t’i ndihmonte të gjitha institucionet që të vendosin standarde të qarta për përdorim transparent, me përgjegjësi dhe me etikë të IA-së. Mbi këto parime, rregullimi do të duhej të vazhdonte në të gjitha insitucionet rregullative si shembull Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Banka Qëndrore, insitucionet arsimore, hulumtuese, universitetet e Akademia e Shkencave. Zgjidhja sektoriale e rregullimit të AI-së ofron qasje shumë më profesionale në fushat përkatëse, më demokratike dhe në esencë më funksionale sesa qasja e rregullimit nga një autoritet gjitholog që njohuritë potenciale të tij do të ishin të cunguara në secilën fushë.

*Fotografia shoqëruese e këtij teksti është gjeneruar me anë të ChatGPT-së të Open AI me qëllim të ilustrimit të tekstit.

Pjesë nga diskutimi në tryezën “Roli i Inteligjencës Artificiale në fushën e integritetit të informacionit”, organizuar nga ASD/Hibrid.info

Artikuj të tjerë

Back to top button