LDK: Vetëvendosje inicoi përmbysjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës

Lidhja Demokratike ka reaguar pas seancës së thirrur sonte për zgjedhjen e presidentit, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të rëndë të rendit kushtetues.
Në komunikatën për media, LDK-ja ka vlerësuar se nisja e procesit të votimit pa kuorum kushtetues përbën, siç thuhet, “sabotim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe vetë shtetit”.
Sipas kësaj partie, veprimi i sontëm paraqet abuzim të hapur me Kuvendin e Kosovës dhe përpjekje për të imponuar vullnet parapolitik.
“Republika nuk mund të merret peng. Rendi kushtetues nuk është i negociueshëm”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Partia ka paralajmëruar se për veprimet e sontme do të ketë përgjegjësi politike, institucionale dhe nacionale.



