Lushaku – Sadriu: LDK propozoi 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se mbrëmë ka pasur një fushatë propaganduese ndaj këtij subjekti politik, duke akuzuar për përfshirje të disa eksponentëve që sipas saj kanë shpërndarë përmbajtje në gjuhën serbe.

“Ne kemi qenë dëshmitarë që mbrëmë në mesnatë ka pasë një fushatë, një fushatë ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës me gjasë disa eksponentë të cilët po udhëheqin propaganda ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë gjeneru postime të ndryshme në gjuhën serbe, kanë dhënë deklarata”, tha ajo.

Lushaku-Sadriu ka folur edhe për datën e zgjedhjeve, duke bërë të ditur se LDK-ja mbështet 7 qershorin, në përputhje me kërkesat dhe kapacitetet organizative të institucioneve përgjegjëse.

“Si Lidhje Demokratike e Kosovës, dhamë opinionin tonë që brenda kornizave ligjore të shpallet data e 7 qershorit si datë e zgjedhjeve. Meqë ishte poashtu një arsyetim që KQZ-ja ka kërkuar paraprakisht, për shkak që i nevojitet më shumë kohë për mobilizim të strukturës së saj për organizim sa më profesional të zgjedhjeve dhe normalisht që ne e mirëkuptojmë këtë kërkesë dhe jemi dakord me datën 7 qershor”, tha ajo.

Ajo ka bërë të ditur se detajet për programin dhe organizimin partiak do të prezantohen nga zyra e partisë në periudhën në vijim.

“Të gjitha këto pyetje partiake, nga tash e tutje nga zyra e partisë. Do të ketë një platformë e cila do të prezantohet në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të gjitha detajet pastaj do t’i merrni në kohë. Normalisht që deri këtu kemi thënë që ne jemi të synuar që t’i japim Kosovës një vizion tjetër, një bashkim të së djathtës, e cila do të ketë një vizion zhvillimor, një program zhvillimor për Kosovën, për një Kosovë që i forcon aleancat ndërkombëtare, që prezanton projekte zhvillimore, hap vende pune dhe jo që ta lë vendin në sanksione dhe në skema sociale. Prandaj besoj shumë që qytetarët e Kosovës do ta shohin këtë risi edhe do t’i mbështesin ata që dinë të qeverisin dhe ata që ua rregullojnë jetën atyre”, tha ajo.

Sipas saj, fokusi i LDK-së në periudhën e ardhshme do të jetë komunikimi me qytetarët dhe prezantimi i projekteve konkrete.

“Krejt diskutimet janë mirë tash e tutje. Besoj krejt energjitë tona do të jenë në komunikim me qytetarët, në sqarim për qytetarët se çfarë janë projektet tona dhe qysh ne do t’ua përmirësojmë jetën atyre. Gjatë kësaj legjislature ne kemi parë edhe kemi bërë, kemi thirrë seanca të jashtëzakonshme, kemi bërë shumëçka duke i bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë masa për t’i ulë çmimet, për t’ua rregullu jetën qytetarëve, për t’ua lehtësu ballafaqimin me krizat ekonomike, po s’kemi pasë mbështetje. Prandaj tani në këto zgjedhje, meqë zgjedhjet do të mbahen, do të jetë një shansë e re për qytetarët për të bërë një përzgjedhje më cilësore edhe të politikanëve edhe të partive të përgjegjshme politike që japin vërtet zgjidhje qytetare”, tha ajo.

Artikuj të tjerë

Back to top button