
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural njofton se Raporti i analizave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konstatuar praninë e yndyrës bimore me karakteristika të vajit të palmës në produkte të prodhuara dhe të tregtuara si qumësht nga ABRAZEN Sh.P.K. – Qumështorja VITA.
“Ky është konstatimi kryesor që del nga analizat laboratorike: në produkte të tregtuara si qumësht është konstatuar yndyrë bimore me karakteristika të vajit të palmës, e cila nuk ishte deklaruar për konsumatorin.
Konkretisht, Raporti evidenton si “në kundërshtim me deklaracionin” mostrat My Coë – Qumësht 3.2%, My Coë – Qumësht UHT 3.2% dhe Land – Qumësht UHT 3.2%, ku profili i acideve yndyrore ka treguar praninë e yndyrës bimore me karakteristika të vajit të palmës. Në produktin Garden Milk 1L është konstatuar prani e yndyrës bimore dhe vajit të palmës, si dhe qumësht pluhur i padeklaruar”, thuhet në njoftimin e Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Sipas kësaj ministrie, këto rezultate nuk përbëjnë vetëm çështje të etiketimit.
“Ato prekin përbërjen dhe identitetin e produkteve të tregtuara si qumësht. Konsumatori që blen një produkt të deklaruar si qumësht duhet të marrë produktin që i është deklaruar. Yndyra bimore me karakteristika të vajit të palmës nuk mund të zëvendësojë yndyrën e qumështit pa u reflektuar në përbërjen, emërtimin dhe deklarimin real të produktit.
Në tërësi, dokumentacioni i shqyrtuar evidenton 26 produkte të operatorit me përmbajtje të vajit të palmës/yndyrës bimore. Veçanërisht e rëndësishme është se Qumështorja VITA kishte aprovim të AUV-së për aktivitetin e qumështit dhe produkteve të qumështit, ndërsa, sipas dokumentacionit të shqyrtuar, këto 26 produkte nuk kanë qenë të aprovuara apo të autorizuara për këtë aktivitet, ndonëse janë prodhuar dhe plasuar në treg.
Të dhënat mbi lëndët e para e bëjnë të domosdoshëm shqyrtimin e plotë të proceseve të prodhimit. Për periudhën e paraqitur 2019–2026, ABRAZEN/VITA rezulton me rreth 3.45 milionë kg qumësht pluhur të koncentruar të importuar, ose rreth 45% të sasisë së evidentuar në këtë kategori. Për hirrën pluhur evidentohen rreth 1.25 milionë kg. Ndërsa të dhënat për vajin e palmës evidentojnë importe të konsiderueshme, përfshirë 980,880 kg gjatë vitit 2025”.
Më tej në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural thuhet se natyra, shtrirja dhe përsëritja e këtyre konstatimeve tregojnë për dështime serioze dhe sistemike në proceset e prodhimit, ku produkte të prodhuara me përmbajtje të vajit të palmës janë plasuar dhe tregtuar me emërtime të produkteve të qumështit, përfshirë qumësht, djathë dhe gjizë.
Në këto rrethana, çështja nuk mund të trajtohet vetëm në nivel të mostrave apo produkteve individuale, por kërkon vlerësimin dhe korrigjimin e të gjithë procesit të prodhimit. Për këtë arsye, kërkohet që objekti dhe aktivitetet përkatëse të vendosen nën mbikëqyrje të vazhdueshme dhe të shtuar të AUV-së, me kontrolle, gjurmueshmëri dhe testime të vazhdueshme, si dhe të ndërmerren masat e nevojshme ligjore dhe korrigjuese deri në eliminimin e plotë të këtyre dështimeve serioze dhe rikthimin e dokumentuar të proceseve dhe produkteve në përputhshmëri me kërkesat ligjore.
AUV është i obliguar që për secilën mostër dhe produkt jokonform të sigurojë gjurmueshmëri të plotë sipas kodit të mostrës dhe kodit laboratorik, duke e lidhur rezultatin me markën tregtare, produktin, lotin, datën e prodhimit, sasinë dhe destinacionin. Për produktet dhe lotet e prekura duhet të ndërmerren masat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi. Inspektorati i Tregut, në kuadër të kompetencave të veta, duhet të verifikojë markat tregtare, emërtimin, deklaracionet dhe mënyrën e prezantimit të produkteve para konsumatorit”, thuhet në njoftim.
Verifikim i veçantë i produkteve të eksportuara
Sipas kësaj ministrie, dokumentacioni i paraqitur evidenton gjithashtu eksportimin e produkteve të tregtuara si qumësht lope My Coë drejt Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si dhe të qumështit Land drejt Maqedonisë së Veriut. Kjo merr rëndësi të posaçme për shkak se analizat laboratorike të AUV-së kanë konstatuar në mostrat përkatëse të My Coë dhe Land yndyrë bimore me karakteristika të vajit të palmës, të padeklaruar në produkt.
“Për këtë arsye, AUV duhet të verifikojë menjëherë certifikatat veterinare/shëndetësore të eksportit, lotet, sasitë dhe destinacionet e produkteve përkatëse dhe të përcaktojë nëse produkte që analizat zyrtare i kanë gjetur me yndyrë bimore me karakteristika të vajit të palmës janë certifikuar për eksport sipas kategorisë së produkteve me prejardhje shtazore. Nëse konstatohet mospërputhje ndërmjet përbërjes reale dhe kategorisë sipas së cilës produkti është certifikuar, kjo prek jo vetëm operatorin ekonomik, por edhe integritetin e sistemit shtetëror të certifikimit dhe besueshmërinë e produkteve të qumështit dhe bylmetit të Kosovës në tregjet e jashtme.
AUV është e obliguar të sigurojë që certifikimi për eksport të bëhet në përputhje me llojin, natyrën, përbërjen dhe kategorinë reale të produktit. Për çdo mospërputhje të verifikuar duhet të ndërmerren veprimet korrigjuese dhe, kur kërkohet sipas rregullave përkatëse, të njoftohen pa vonesë autoritetet kompetente të vendeve të destinacionit.


