
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka kritikuar ashpër kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me projektin e paralajmëruar për zhvillimin e Gollakut.
Pacolli ka thënë se Gollaku nuk mund të trajtohet si pronë e kryetarit të Prishtinës dhe se, sipas saj, një projekt i tillë duhet të mbështetet në planifikim serioz dhe koordinim institucional.
Gollaku nuk është pronë e Përparim Ramës për ta planifikuar si t’i teket”, ka shkruar Pacolli.Ajo e ka akuzuar Ramën se po e promovon projektin me, siç tha, të njëjtën metodë të përdorur gjatë mandatit të tij – “shumë propagandë, shumë fotografi, shumë premtime dhe hiç punë”.
Sipas Pacollit, kryetari i Prishtinës nuk ka arritur ta përfundojë Planin Zhvillimor Komunal dhe nuk i ka dhënë kryeqytetit një drejtim të qartë zhvillimor.“Pesë vite nuk i mjaftuan për ta përfunduar Planin Zhvillimor Komunal të Prishtinës. Pesë vite nuk i mjaftuan për t’i dhënë komunës një drejtim të qartë zhvillimor.
Tash po kujtohet për Gollakun”, ka shkruar ajo.Pacolli ka kërkuar sqarime se kush e ka hartuar planin, mbi çfarë baze është përgatitur dhe me cilat institucione apo komuna është zhvilluar konsultimi.Ajo ka theksuar se Gollaku ka potencial të madh natyror, duke përmendur tokën, pyjet dhe burimet ujore, por ka thënë se zhvillimi duhet të jetë i planifikuar dhe i bazuar në këto potenciale.
“Gollaku ka nevojë për zhvillim serioz, të mirëplanifikuar, të bazuar në potencialin natyror dhe jo për projekte që kanë predispozita për të dështuar ende pa filluar”, ka shkruar Pacolli.Në reagimin e saj, ajo ka ngritur edhe akuza për mënyrën se si, sipas saj, janë menaxhuar pronat publike në Prishtinë, duke pretenduar se ekziston rreziku që edhe projekti për Gollakun të ndjekë të njëjtën qasje.Pacolli e ka përmbyllur reagimin duke e cilësuar Ramën si kryetarin më të dështuar dhe më manipulues që, sipas saj, ka pasur Prishtina.

