MINT: Mbi 3 mijë inspektime në Kosovë gjatë vitit 2026, shqiptohen rreth 600 mijë euro gjoba

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur se gjatë pjesës së parë të vitit 2026 ka intensifikuar mbikëqyrjen e tregut dhe masat për mbrojtjen e konsumatorëve.

Sipas MINTI-t, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar mbi 3 mijë inspektime në fusha të ndryshme, përfshirë tregun e derivateve të naftës, sigurinë e produkteve dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Po ashtu, janë kryer mbi 250 inspektime për verifikimin e kushteve minimale teknike të operatorëve ekonomikë.
Gjatë kësaj periudhe janë adresuar edhe mbi 600 ankesa të qytetarëve, ndërsa inspektorati ka zhvilluar aksione të përbashkëta me Policinë e Kosovës, ATK-në, Agjencinë e Metrologjisë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Masat ndëshkuese janë rritur për 33.33 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në gjashtë muajt e parë të vitit janë shqiptuar rreth 600 mijë euro gjoba për shkelje të ndryshme.

Ndër shkeljet e evidentuara janë mospërputhja e çmimeve raft–arkë, shitja e produkteve pa deklaracion ose me afat të skaduar, ushtrimi i veprimtarisë pa regjistrim në ARBK, përdorimi i mjeteve matëse me afat të skaduar dhe shkelje të tjera të legjislacionit.

IQMT ka zhvilluar gjithashtu aksione të veçanta për çmimet e derivateve, njehsorët elektrikë, kriptovalutat, qendrat e masazhit, lokalet e natës, produktet e qumështit, cigaret elektronike pranë shkollave dhe parkingjet private të paregjistruara.

Ndërkohë, MINTI ka bërë të ditur se ka përfunduar faza e parë e transferimit të inspektorëve lokalë të tregut në Inspektoratin Qendror.

Synimi është që deri në fund të vitit numri i Inspektorëve të Tregut të arrijë në 100.
Për lehtësimin e raportimit të problemeve nga qytetarët, MINTI ka lansuar edhe një platformë në Viber për adresimin e ankesave të konsumatorëve.

Sipas ministrisë, këto masa synojnë krijimin e një tregu më të rregullt, transparent dhe të sigurt, si dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e konsumatorëve.

Artikuj të tjerë

Back to top button