MPB në Maqedoni nis procedurat për formimin e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Gazetarëve

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se ka nisur procedurat për formimin e një Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Gazetarëve, i cili synon përmirësimin sistemor të lirisë së mediave dhe rritjen e sigurisë së gazetarëve.
Sipas MPB-së, qëllimi i këtij komiteti do të jetë sigurimi i koordinimit ndërmjet institucioneve shtetërore, organizatave mediatike dhe sektorit civil, ndjekja e gjendjes së sigurisë së gazetarëve, si dhe hartimi i një plani kombëtar veprimi për mbrojtjen e tyre në përputhje me standardet evropiane.
“Po ashtu, komiteti do të propozojë masa konkrete për parandalim, mbrojtje, ndjekje penale të autorëve të sulmeve ndaj gazetarëve dhe rritje të vetëdijes publike. Nga MPB bëjnë të ditur se me formimin e këtij mekanizmi pritet të vendoset një mbrojtje institucionale e qëndrueshme për gazetarët, të përmirësohet koordinimi ndërmjet organeve shtetërore dhe komunitetit mediatik, si dhe të rritet besimi ndërmjet gazetarëve dhe institucioneve. Një tjetër synim është hartimi dhe zbatimi i një plani kombëtar veprimi, i cili do të ndikojë edhe në përmirësimin e pozitës së vendit në raportet ndërkombëtare për lirinë e mediave.“Bashkëpunimi me punonjësit e mediave, ndërtimi i një partneriteti të sigurt dhe të qëndrueshëm reciprok, si dhe garantimi i sigurisë së tyre, për MPB-në përbëjnë një nga prioritetet kryesore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
MPB thekson se formimi i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Gazetarëve përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi të sigurt pune për gazetarët dhe punonjësit e mediave, duke forcuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.



