Nagavci pas arrestimit të nëntë personave: Çdo krim duhet të zbardhet dhe secili që ka përgjegjësi duhet të japë llogari para drejtësisë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, ka reaguar pas arrestimit të nëntë personave të dyshuar për krime lufte në Komunën e Zubin-Potokut,

Nagavci ka thënë se drejtësia mund të vonojë por kërkimi i saj nuk duhet të ndalet.

Ajo e ka quajtur lajm të mirë arrestimin e këtyre personave derisa ka kujtuar që për këtë rast janë arrestuar edhe katër të tjerë më parë.

Postimi i plotë:

Për krimet e luftës nuk duhet të ketë harresë dhe as pandëshkueshmëri. Drejtësia mund të vonojë, por kërkimi i saj nuk duhet të ndalet.

Lajm i mirë arrestimi i nëntë personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, në kuadër të operacionit “Dosja 23”, që ndërlidhet me rastin e “Grupit të Intelektualëve” të Mitrovicës.

Ky operacion vjen pas hetimeve dhe gërmimeve të zhvilluara në Kalludër dhe Jabukë të Zubin-Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave. Deri më tani, përmes analizave të ADN-së është konfirmuar identiteti i tri viktimave nga “Grupi i Intelektualëve”, ndërsa procesi i identifikimit vazhdon.

Për këtë rast janë arrestuar më herët edhe katër persona të tjerë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për ta zbardhur plotësisht rastin dhe për të përcaktuar përgjegjësinë individuale të personave të dyshuar.

Çdo krim duhet të zbardhet dhe secili që ka përgjegjësi duhet të japë llogari para drejtësisë.

Artikuj të tjerë

Back to top button