Narkotikë e shpëlarje parash, 30 ditë paraburgim për të dyshuarin

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh një personi me inicialet A.H., i cili dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal të organizuar të përfshirë në veprimtari të paligjshme që lidhen me narkotikët dhe shpëlarjen e parave.

Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila kishte kërkuar ndalimin e tij për shkak të rrezikut që mund të ndikojë në zhvillimin e procedurës penale.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, ndërsa gjyqtarja e procedurës paraprake ka vendosur që A.H. të mbahet në paraburgim për 30 ditë.

Në arsyetimin e vendimit, gjykata vlerëson se paraburgimi është masa më e përshtatshme duke pasur parasysh natyrën e veprave penale për të cilat dyshohet i pandehuri.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, duke qenë se i njëjti dyshohet për vepra të rënda penale. Nëse i pandehuri lihet në liri, mund t’i shmanget procedurës penale dhe mund të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë. Po ashtu, ai mund të asgjësojë, fshehë ose falsifikojë prova të veprës penale, si dhe të pengojë rrjedhën normale të procedurës duke ndikuar edhe te persona të tjerë që mund të jenë të implikuar në këto veprime”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

A.H. dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe “Shpëlarja e parave”, vepra këto të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Gjykata ka bërë të ditur se vendimi është marrë mbi bazën e dyshimit të bazuar dhe rrethanave që, sipas saj, e bëjnë të domosdoshëm paraburgimin në këtë fazë të procedurës.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të datës 8 korrik 2026 për caktimin e masës së paraburgimit, me ç’rast të pandehurit A.H. i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditësh”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se palët e pakënaqura me këtë aktvendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Artikuj të tjerë

Back to top button