“Nderi im i madh”, Trumpi përshëndet shkatërrimin e anijes me drogë në Karaibe

Dy të mbijetuarit e një sulmi ushtarak amerikan ndaj një anijeje të dyshuar për transport droge në Karaibe do të dërgohen në Ekuador dhe Kolumbi, vendet e tyre të origjinës, tha Presidenti Donald Trump të shtunën.
Ushtria shpëtoi çiftin pasi goditi një anije nëndetëse të enjten, në atë që ishte të paktën sulmi i gjashtë i tillë që nga fillimi i shtatorit, raporton Associated Press, transmeton Klankosova.tv.
“Ishte nder i madh për mua të shkatërroja një NËNTËNDETËSE shumë të madhe TË MBUSHUR ME DROGË që po lundronte drejt Shteteve të Bashkuara në një rrugë tranziti të njohur të narkotrafikut”, tha Trump në një postim në mediat sociale. “Inteligjenca amerikane konfirmoi se kjo anije ishte e ngarkuar kryesisht me Fentanyl dhe narkotikë të tjerë të paligjshëm.”
Pas njoftimit të Trump, Pentagoni postoi në X një video të shkurtër bardh e zi të sulmit. Në klip, një anije mund të shihet duke lëvizur nëpër valë, pjesa e përparme e saj e zhytur disa centimetra nën sipërfaqen e ujit. Pastaj, shihen disa shpërthime, me të paktën një mbi pjesën e pasme të anijes.
Presidenti republikan tha se dy persona në bord u vranë – një më shumë se sa ishte raportuar më parë – dhe dy që mbijetuan po dërgohen në vendet e tyre të origjinës “për paraburgim dhe ndjekje penale”.
Me konfirmimin e Trumpit në platformën e tij Truth Social për numrin e të vdekurve, kjo do të thotë se veprimi ushtarak amerikan kundër anijeve në rajon ka vrarë të paktën 29 persona.
Presidenti i ka justifikuar sulmet duke pohuar se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në një “konflikt të armatosur” me kartelet e drogës. Ai mbështetet në të njëjtin autoritet ligjor të përdorur nga administrata e George W. Bush kur shpalli luftë kundër terrorizmit pas sulmeve të 11 shtatorit, dhe kjo përfshin aftësinë për të kapur dhe ndaluar luftëtarët dhe për të përdorur forcë vdekjeprurëse për të rrëzuar udhëheqjen e tyre. Trump gjithashtu po i trajton trafikantët e dyshuar sikur të ishin ushtarë armiq në një luftë tradicionale.