Një pjesë e Dardanisë ende pa ujë, KRU njofton për defekt të komplikuar

Kompania Rajonale e Ujësjellësit në Prishtinë ka njoftuar se një pjesë e lagjes Dardania ka mbetur pa furnizim me ujë për shkak të një rrjedhjeje të komplikuar në rrugën “Idriz Gjilani”, te zona e njohur si Kurrizi.
Sipas njoftimit, ekipet e ujësjellësit kanë punuar për sanimin e defektit, por për shkak të natyrës së ndërlikuar të rrjedhjes, ndërhyrja nuk ka mundur të përfundojë. Bëhet e ditur se rrjedhja është e brendshme dhe po shkakton dëme edhe në lokalet përreth.
Për të lehtësuar situatën, kompania ka njoftuar se furnizimi me ujë është rikthyer përkohësisht nga ora 20:00 deri në ora 22:00, në mënyrë që banorët të mund të sigurojnë sasinë e nevojshme të ujit.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit u ka kërkuar falje konsumatorëve për shqetësimin e shkaktuar dhe ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin.



