
Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në Komunën e Obiliqit, pas konstatimit të parregullsive në masat për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas Inspektoratit, gjatë inspektimit janë evidentuar mangësi që rrezikonin krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.
“Për këtë arsye, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve në këtë objekt ndërtimi deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës. Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe apelon te të gjithë punëdhënësit që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës”, thuhet në njoftimin në Facebook.



