
Gjykata e Gjakovës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj V. Currit, pronarit të poligonit “Tactical Depo” në Gjakovë, i cili dyshohet se inskenoi vjedhjen e mbi 110 armëve nga poligoni i tij.
Ai dyshohet se këto armë i ka shitur.
Sipas njoftimit të Gjykatës, kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit është aprovuar pas mbajtjes së seancës dëgjimore. Sipas dyshimeve të Prokurorisë, Curri nga fillimi i tetorit 2026 deri më 30 tetor 2026, në poligonin e armëve “Tactical Depo”, në Gjakovë, dyshohet se ka shitur në mënyrë të paautorizuar mbi 110 armë zjarri, të cilat i kishte në depon e poligonit të licencuar.
Armët dyshohet se ua kishte shitur dy personave me inicialet D.P. dhe L.U., të cilët aktualisht gjenden në arrati. Pas kësaj, sipas Prokurorisë, Curri e kishte raportuar rastin në Policinë e Kosovës, duke pretenduar rrejshëm se armët i ishin vjedhur.
Për këto veprime, ai dyshohet për veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.
Kur dhe cfarë raporti pronari i poligonit?
Me 30 tetor, TandemPress raportoi se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim e koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, kanë trajtuar rastin e paraqitur më 30.10.2026, si ‘vjedhje e rëndë’, të ndodhur në një depo (poligon) armësh në Gjakovë.
Në vazhdën e hetimeve të rastit dy ditë më vonë, hetimet kanë rezultuar me ngritjen e dyshimit të arsyeshëm se raportimi i pronarit të depos-poligonit, ka qenë inskenim i vjedhjes dhe se armët në këtë poligon të licencuar janë keqpërdorur përkatësisht janë shitur për palët e treta nga vet pronari i poligonit.



