Komuna e Mitrovicës së Jugut shpall tender me vlerë prej 250 mijë euro për rrënimin e objekteve pa leje

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka shpallur tender për rrënimin e objekteve pa leje në territorin e kësaj komune.

Sipas njoftimit për kontratë të publikuar më 6 nëntor 2026, vlera e parashikuar për këtë projekt është 250 mijë euro.

Kontrata është paraparë të jetë publike kornizë me një operator ekonomik dhe të ketë kohëzgjatje prej 24 muajsh, nga data e hyrjes në fuqi të saj.

Për të marrë pjesë në këtë tender, operatorët ekonomikë duhet të dëshmojnë se kanë realizuar kontrata të ngjashme në vlerë prej së paku 200 mijë eurosh gjatë tri viteve të fundit, si dhe të kenë qarkullim financiar prej minimum 500 mijë eurosh për të njëjtën periudhë.

Po ashtu, kërkohet që operatori ekonomik të ketë së paku tetë punonjës të angazhuar në projekt, ku njëri prej tyre duhet të jetë i certifikuar për Siguri dhe Shëndet në Punë.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 16 dhjetor 2026, në orën 12:00, përmes platformës E-Prokurimi.

Kriter për dhënien e kontratës është çmimi më i ulët. Siguria e tenderit është përcaktuar në vlerë prej 7 mijë e 500 eurosh.

Artikuj të tjerë

Back to top button