
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka mbajtur ceremoninë e përurimit të përfundimit të masave të efiçiencës së energjisë në dy ndërtesa publike në Komunën e Vitisë.
Ndërtesat përfituese janë SHFMU “28 Nëntori” dhe Qendra për Punë Sociale, ku janë implementuar masa që synojnë rritjen e efiçiencës energjetike, përmirësimin e kushteve për qytetarët dhe kursimin e energjisë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se mbështetja e Qeverisë për investimet në efiçiencën e energjisë është pjesë e angazhimit për përmirësimin e kushteve në objektet publike.
Ai ka theksuar se këto investime nuk nënkuptojnë vetëm kursim të energjisë, por edhe krijimin e hapësirave më të përshtatshme për qytetarët.
Investimet në këto objekte pritet të ndikojnë në uljen e konsumit të energjisë dhe kostove të mirëmbajtjes, ndërsa njëkohësisht kontribuojnë në krijimin e kushteve më të mira për nxënësit, stafin arsimor dhe punonjësit e shërbimeve sociale.



