Rama këshillon Kurtin: Shihni kah BE-ja, harrojeni Serbinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se Kosova duhet që ta harrojë Serbinë dhe të realizojë të gjitha ato pika që kanë të bëjnë me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Komentet Rama i bëri në Londër, në panelin e Chatham House, me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian”.
Rama, siç raporton A2CNN, tha se duke vepruar sipas propozimeve të BE-së, Kosova do ja lërë “topin në fushë” Serbisë dhe do të jetë Evropa më pas që do të merret me Beogradin.
Teksa tha se respektonte vendimet e institucioneve të Kosovës, Rama shtoi se Kosova nuk ka asnjë çështje territoriale të pazgjidhur me asnjë shtet tjetër (duke nënkuptuar Serbinë).
“Nuk shoh çështje territoriale mes Kosovës e askujt tjetër. Territori i Kosovës është i përcaktuar, Kosova është Republikë, një shtet i ri demokratik, i njohur nga fuqitë e mëdha dhe ende jo i njohur nga 5 vende të BE-së. Në këtë drejtim nuk shoh problem”.
“Nga ana tjetër, është detyra e Kosovës që të shtyjë përpara dhe të bindë pjesën tjetër për pozicionin e konsoliduar përsa i takon vlerave në botën demokratike dhe BE. Kosova që të jetë e suksesshme duhet të harrojë Serbinë dhe të realizojë të gjitha ato pika që kanë të bëjnë me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, pavarësisht Serbisë”.
“Pra ata të përmbushin çdo pikë dhe t’ia lënë topin në fushë Serbisë dhe të ecin përpara drejt Evropës dhe të lënë Evropën të merret me Serbinë dhe jo ta lënë çështjen e Serbisë të shndërrohet në një çështje fajësimi mes të dy vendeve. Megjithatë ky është mendimi im modest. Unë respektoj plotësisht atë çfarë vendosin udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës për popullin dhe vendin e tyre”, tha mes të tjerash Rama.