Shtyhet ardhja e skanerëve doganorë për shkak të problemeve teknike: Deklarohen nga Dogana e Kosovës

Skanerët doganorë, që ishte pritur të mbërrinin në vjeshtë për t’u vendosur në 3 pika kufitare me Serbinë, do të mbërrijnë në fillim të vitit të ardhshëm. Vonesa e skanerëve, që janë donacion i Qeverisë Gjermane, sipas Ambasadës në Prishtinë, vjen për shkaqe teknike.


Është shtyrë për në fillim të vitit të ardhshëm arritja e skanerëve doganorë për pikat kufitare me Serbinë, një donacion i Qeverisë Gjermane i paraparë për të lehtësuar kalimin e mallrave nga Serbia në Kosovë. Ambasada Gjermane në Prishtinë ka konfirmuar se donacioni, që ishte paraparë të mbërrinte në vjeshtë, për shkaqe teknike do të arrijë në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Për shkak të kompleksitetit teknik të logjistikës dhe zinxhirit të furnizimit të përfshirë në këtë proces, dorëzimi i skanerëve pritet të bëhet gjatë tremujorit të parë të vitit 2027”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë.

Prej dy vitesh, Qeveria ka kufizuar importin e mallrave nga Serbia në pikat kufitare, duke e zëvendësuar me kontroll të shtuar në pikën kufitare në Merdar, deri në instalimin e pajisjeve të skanimit.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë se vendosja e këtyre skanerëve modernë në pikat kufitare do të përbëjë një avancim të rëndësishëm në kapacitetet teknologjike dhe operative.

“Përdorimi i skanerit për momentin që e kemi në pikën kufitare në Merdar, donacion i SHBA-së, ka rritur sigurinë kufitare dhe ka avancuar dhe përshpejtuar procedurat doganore, duke mundësuar që kontrolli të orientohet saktë në dërgesat me nivel të lartë të riskut, normalisht me ndikim pozitiv edhe në lehtësimin e tregtisë legjitime”.

Stavileci tha se këta skanerë mundësojnë kontroll të shpejtë dhe shumë efikas të ngarkesave.

“Që nga vendosja e skanerit në Merdarë në fillim të këtij viti, përdorimi ka bërë një mori zbulimesh, duke filluar nga një rast ku kemi pasur mbi 1 milion euro të fshehura, qindra kilogramë të substancave narkotike dhe dhjetëra raste të kundërvajtjeve komerciale të cilat skaneri i ka zbuluar”, shtoi Stavileci.

Artikuj të tjerë

Back to top button