Skadimi i licencave të termocentraleve: Kosova rrezikon mungesën e energjisë elektrike

Në 4 tetor skadojnë licencat e dy termocentraleve që prodhojnë pjesën dërrmuese të energjisë elektrike në Kosovë. Nga mos – funksionalizimi i bordit nuk mund të marrë askush vendimin për vazhdimin e licencave të “Kosovës A” dhe “Kosovës B”.

ZRRE thotë se pa vazhdimin e licencave, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk ka bazë ligjore për të vazhduar prodhimin,ndërsa ekspertët paralajmërojnë për pasoja në sigurinë e furnizimit dhe kosto të mëdha financiare.

Problemi qëndron te Bordi i ZRRE-së, institucioni që ka kompetencën për të vendosur për licencimin e prodhuesve Ministria e Ekonomisë ka publikuar listën e kandidatëve të përzgjedhur për dy pozitat e anëtarëve dhe atë të kryesuesit të Bordit, mirepo procedura nuk mund të përfundojë pa konstituimin e Kuvendit.

Zgjedhja dhe miratimi per funksionalizim i kalon kuvendit dhe qeverisë.

Të dhënat e ZRRE-së për vitin e kaluar tregojnë se prodhimi vendor i energjisë elektrike, përfshirë burimet e ripërtëritshme, arriti në 5.298 gigavat-orë (GWh), ndërsa kërkesa e përgjithshme ishte 6.944 GWh.

Njazi Thaçi, ish-drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, e cilëson situatën të pazakontë dhe të papranueshme.

“Është e paimagjinueshme që blloqet të ndalen për shkak se nuk vazhdohet licenca. Ky është një rast i paprecedent. Kosova nuk mund të mbetet vetëm me prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme”, shprehu Thaçi.Prodhimi nga burimet alternative është i pamjaftueshëm për të zëvendësuar kapacitetet e KEK-ut.

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) është e obliguar të sigurojë furnizimin e konsumatorëve.

Ajo e blen energjinë kryesisht nga KEK-u, ndërsa mungesën ndërmjet prodhimit vendor dhe kërkesës e mbulon përmes importit.

Vetëm gjatë vitit 2025, Kosova shpenzoi rreth 240 milionë euro për import të energjisë elektrike, me një çmim mesatar prej 146 eurosh për megavat-orë (MWh).

Afer pesë javë para skadimit të licencave, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me prodhimin e energjisë në “Kosovën A” dhe “Kosovën B”.

Artikuj të tjerë

Back to top button