
Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, sot vazhdon seanca e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase, Maria Clara Urdangaray.
Rasti lidhet me ngjarjen e 1 gushtit 2023, kur Urdangaray humbi jetën pasi ra nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Nika dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje me partneren e tij, fillimisht e kishte sulmuar fizikisht, ndërsa dhuna kishte vazhduar edhe në dhomën e hotelit, ku pretendohet se e kishte hedhur nga dritarja e katit të gjashtë.
Në shkurt të vitit 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Nikën me 18 vjet burgim për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Megjithatë, më 7 gusht 2026, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim, pas aprovimit të ankesës së mbrojtjes dhe konstatimit të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Në seancën e parë të rigjykimit, Endrit Nika ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i ngarkohen./



