Zjarri në banesën në Prishtinë, në mesin e të lënduarve edhe një 5-vjeçar

Një banesë pranë parkut të qytetit në Prishtinë, sot u përfshi nga zjarri. Disa banorë morën ndihmë mjekësore, përfshirë dhe disa zjarrfikës.
Nga Klinika e Kirurgjisë Plastike kanë konfirmuar se është pranuar një pacient i mitur, 5 vjeç, pas djegieve termike të shkaktuara nga flakët.
Ndërkaq, zjarrfikësit që kanë pësuar djegie në regjionin e fytyrës janë vlerësuar dhe janë liruar për trajtim ambulantor në shtëpi.
Sipas doktorit Korab Berisha, kirurg plastik kujdestar në QKUK, pacienti i pranuar ka pësuar djegie në regjionin e kokës, fytyrës, ekstremitetin e sipërm dhe në të dy gjunjët.
Në momentin e pranimit, gjendja e përgjithshme është stabile hemodinamikisht dhe respiratorikisht.
Pacienti u pranua për trajtim spitalor, monitorim dhe menaxhim të mëtejshëm të plagëve nga djegia.



