371 kandidatë në garë për 34 pozita të prokurorëve, 10 vende për komunitetin serb

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur testin kualifikues për 371 kandidatë që kanë aplikuar në procesin e rekrutimit të 34 prokurorëve të rinj të shtetit.

Sipas njoftimit të KPK-së, nga kandidatët që iu nënshtruan testimit, 174 ishin gra dhe 197 burra. Nga 34 pozitat e shpallura, 10 janë të rezervuara për pjesëtarët e komunitetit serb, ndërsa prokurorët e rinj pritet të emërohen në prokuroritë themelore të Kosovës.

Testimi është zhvilluar në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

KPK ka bërë të ditur se procesi i hartimit dhe administrimit të testit është realizuar në përputhje me parimet e transparencës, integritetit dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve.

Sipas Këshillit, pyetjet e testit janë hartuar në ditën e testimit, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtarë. Procesi është mbikëqyrur nga Arian Gashi, kryetar i Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, së bashku me anëtarët e tjerë të komisionit.

Mbarëvajtja e testimit është përcjellë edhe nga përfaqësues të partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-në dhe AVONET-in.

Me përfundimin e testit kualifikues, procesi i rekrutimit do të vazhdojë me fazat e tjera, përkatësisht testin me shkrim dhe intervistimin e kandidatëve.

KPK ka theksuar se mbetet i përkushtuar që i gjithë procesi të zhvillohet mbi bazën e meritës, profesionalizmit, transparencës dhe paanësisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Artikuj të tjerë

Back to top button