Auditori: Konstatohet se në Komunën e Vushtrrisë një mësimdhënëse u pranua në punë, pa proces të rekrutimit

Auditori ka ngritur pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e burimeve njerëzore në Komunën e Vushtrrisë, pasi është konstatuar se një mësimdhënëse me kontratë të përkohshme ka vazhduar punën në një pozitë tjetër pa kaluar nëpër procedurën e re të rekrutimit, siç kërkohet me legjislacionin në fuqi.
Sipas raportit të auditimit, Komuna kishte zhvilluar një procedurë të rregullt rekrutimi për angazhimin e një mësimdhënëseje me kontratë me afat të caktuar, për të zëvendësuar një mësimdhënëse që ndodhej në pushim të lehonisë. Mirëpo, pas rikthimit të mësimdhënëses së rregullt në vendin e saj të punës, kontrata e përkohshme duhej të përfundonte.
Megjithatë, auditori ka gjetur se mësimdhënësja e angazhuar është transferuar në një shkollë tjetër për të zëvendësuar një mësimdhënëse tjetër, pa u hapur konkurs i ri dhe pa u zhvilluar procedura e nevojshme e rekrutimit.
Raporti thekson se kjo praktikë bie ndesh me dispozitat e Rregullores (QRK) nr. 19/2024, e cila përcakton qartë se kontratat me afat të caktuar lidhen vetëm për qëllimin dhe periudhën për të cilën janë shpallur.
Auditori vlerëson se ky veprim cenon parimet e konkurrencës dhe transparencës në punësimin publik, ndërsa krijon rrezik për praktika të parregullta në transferimin dhe angazhimin e stafit. Po ashtu, sipas raportit, raste të tilla dobësojnë kontrollin e brendshëm dhe rrisin rrezikun e mosrespektimit të procedurave ligjore.
Për këtë çështje, auditori ka rekomanduar që Kryetari i Komunës të sigurojë se çdo angazhim me kontratë me afat të caktuar realizohet vetëm sipas qëllimit, kushteve dhe afatit të përcaktuar në kontratë, ndërsa çdo ndryshim pozite apo angazhim i ri të bëhet përmes një procedure të re rekrutimi.

Menaxhmenti i Komunës së Vushtrrisë ka deklaruar se pajtohet me rekomandimin e auditorit dhe është zotuar për adresimin e çështjes


