Kadrijaj kritikon Kurti për moszbardhjen e rastit të Astrit Deharit: I zhdukën edhe mostrat e tij

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka kritikuar ashpër qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për mungesën e drejtësisë në rastin e Astrit Deharit.
Ajo tha se gjashtë vjet pas ardhjes në pushtet të Kurtit, rasti ende nuk është zbardhur dhe akuzoi qeverinë se ka zhdukur prova dhe ka penguar hetimet.
Kadrijaj e quajti Kurtin “nomad” dhe e akuzoi se ka ardhur në pushtet përmes kauzave, duke mos kursyer jetët e qytetarëve.
“Isha dje në QKUK dhe rastësisht po e shoh fotografinë e Astrit Deharit me shprehjen ‘Duam drejtësi për Astrit Deharin’, besoj më erdhi keq, desha ta fotografoja por ndjeva keqardhje. Tani nomadi me partinë e vet nuk kanë as shtëpi as pasuni, siç deklaron ai, por që e ja vjel këtë shtet. Ka ardhur në pushtet me kauza, duke mos kursyer jetët e njerëzve, as të Astrit Deharit e njerëzve të cilët kanë protestuar me kauza të Kurtit. Kaluan gjashtë vjet të qeverisë Kurti dhe nuk ka drejtësi për Astrit Deharin. Ata nuk e zbardhën rastin e Astrit Deharit, ata i zhdukën edhe mostrat, i dogjën IML-në për mos me zbardh rastin. Kjo është qeveria që po udhëhiqet nga një nomad që quhet Albin Kurti”, ka thënë Kadrijaj.