Sorenseni në Prishtinë për rrugën drejt zbatimit të Marrëveshjes bazë, takon Bislimin

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen po qëndron në Prishtinë.

Të mërkurën ai takoi zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimin me të cilin u njoftua se kanë diskutuar për rrugën drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi gjithashtu se duhet të trajtohet me urgjencë dhe vëmendjen e merituar çështja e personave të zhdukur me dhunë, në mënyrë që të fillohet edhe me punën e Komisionit të Përbashkët, gjersa e kemi një marrëveshje të dakorduar nga dhjetori i vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Ndërkohë shtohet se është diskutuar edhe për bllokimin nga Serbia të shpërndarjes së mjeteve për fermerët në Luginë të Preshevës.

“Ai foli edhe rreth dëmeve që Serbia po ia shkakton Kosovës vit pas viti me bllokimin e linjave të interkoneksionit, i cili po e rrit koston e transmisionit për energjinë jo vetëm në Kosovë, por edhe për rajonin. Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu edhe rëndësinë dhe domosdoshmërinë që sa më parë të ndodhë heqja e plotë e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës”, thuhet në njoftim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button