Produktet kosovare së shpejti me barkode ndërkombëtare

Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se produktet nga Kosova së shpejti do të pajisen me barkoda ndërkombëtare.

Sipas një postimi të OEK-ut në Facebook, kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, zhvilloi një takim me Kryetaren e Fondacionit GS1 Turqi, Elif Muftuoglu, ku u falënderua për mbështetjen e vazhdueshme të GS1 Turqi në procesin e anëtarësimit të Kosovës në rrjetin ndërkombëtar të barkodave GS1.

“Falë këtij bashkëpunimi, GS1 Kosova do të nisë me sukses lëshimin e barkodave ndërkombëtare, duke i hapur rrugë produkteve të Kosovës për njohje dhe prezencë më të gjerë në tregjet ndërkombëtare”, shkruhet në postim.

Ky sistem, siç thuhet, siguron identifikim global të produkteve dhe do të rrisë vlerën, besueshmërinë dhe sigurinë e produkteve kosovare, si për konsumatorët vendorë ashtu edhe për ata ndërkombëtarë.

“Oda Ekonomike e Kosovës shpreh mirënjohje të veçantë për GS1 Turqinë dhe znj. Elif Muftuoglu për bashkëpunimin e sinqertë dhe përkrahjen profesionale në këtë proces të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button