Rasti kundër administrimit të drejtësisë, miratohet kërkesa e Prokurorisë për zbulimin e materialeve shtesë

Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, Zyrës së Prokurorit të Specializuar i është lejuar që të zbulojë materiale shtesë të cilat tashmë ajo i ka përfshirë përkohësisht në listën e provave të cilën e ka dorëzuar së bashku me dosjen paraprake.

Vendimi është marrë më 17 tetor 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sa i përket aspektit kronologjik, gjyqtarja Masselot kishte nxjerrë një vendim i cili përcaktonte afate për zbulimin e çdo materiali nga ana e Prokurorisë i cili nuk kërkonte redaktime standarde deri më 17 shkurt 2025.

Kurse më 19 shtator, Prokuroria kishte kërkuar autorizim për të zbuluar disa materiale shtesë të kufizuara. Në të njëjtën datë, kishte dorëzuar edhe dosjen paraprake me listën e provave, duke përfshirë përkohësisht edhe materialet shtesë në të.

Sipas Prokurorisë, këto materiale janë të dhëna të nxjerra nga pajisjet elektronike të zbuluara më parë, si dhe janë shtesa që ofrojnë qartësi për materialet të cilat janë zbuluar më parë.

Prokuroria ka thënë se duhet dhënë autorizimi që të shtohen në listën e provave këto materiale shtesë, pasi ato nuk shkaktojnë paragjykim ndaj të akuzuarve, janë në interes të drejtësisë dhe ekzistojnë arsye të vlefshme për këtë.

Përveç kësaj, Prokuroria ka thënë se ato janë të kufizuara në vëllim dhe do të përmirësojnë kuptimin e përgjithshëm të provave të Prokurorisë, si dhe kanë lidhje me materialet e rëndësishme që kanë vlerë provuese për akuzat.

Prokuroria argumenton se meqë procedurat janë ende në fazën paraprake, mund të vazhdojë të mbledhë dhe zbulojë prova nën mbikëqyrjen e përgjithshme të gjyqtares së procedurës paraprake.

Në anën tjetër, në një përgjigje të përbashkët, mbrojtja e pesë të akuzuarve ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë. Ata gjithashtu kanë ngre shqetësime për faktin se këto materiale tashmë janë përfshirë përkohësisht në listën e provave, të dorëzuar nga Prokuroria.

Sipas mbrojtjes së të akuzuarve, një veprim i tillë nuk përfshihet në kuadrin ligjor të DhSK-së dhe se Prokuroria mund të përfshijë në listën e saj të provave vetëm artikuj të zbuluar më parë brenda afatit të caktuar nga trupi gjykues.

Mbrojta thotë se përfshirja e materialeve shtesë në listën e provave të Prokurorisë, do të kërkonte një kërkesë për ndryshimin e kësaj liste, e të cilën Prokuroria s’e ka paraqitur.

Sipas mbrojtjes, rregullat mund të mos lejojnë fare ndryshimin e listës së provave në këtë fazë.

Si rrjedhojë, mbrojtja ka kërkuar që këto materiale të jenë të përjashtuara nga lista e provave e cila është dorëzuar tashmë nga Prokuroria, si dhe të udhëzohet kjo e fundit që të përditësojë listën e provave dhe dosjen paraprake në bazë të kësaj.

Andaj, mbrojtja kërkon që të hudhet poshtë kërkesa e Prokurorisë, me arsyetimin se është e vonuar dhe nuk ka asnjë shpjegim për vonesën, pasi sipas tyre, shumicën e materialeve Prokuroria i ka pasur në posedim përpara afatit fillestar për zbulim e që ka qenë 17 shkurti 2025.

Po ashtu, sipas mbrojtjes, kjo kërkesë nuk pasqyron asnjë rrethanë që mund ta bëjë të vlefshme, është e padrejtë pasi sipas tyre do e cenonte aftësinë e mbrojtjes për t’u përgatitur për gjykim dhe do të minonin thellësisht drejtësinë e procedurave.

Në kundërpërgjigjen e saj ndaj mbrojtjes, Prokuroria thotë se rregullat dhe jurisprudenca e DhSK-së tregon se shtimi i provave në fazën paraprake duhet të lejohet dhe të trajtohet me fleksibilitet të përshtatshëm.

Për të vendosur për një kërkesë të tillë, sipas Prokurorisë, është nën përgjegjësinë e gjyqtares së procedurës paraprake si dhe kërkesa për shtimin e këtyre materialeve në listën e provave është dorëzuar përpara se të dorëzohet kjo listë.

Veç kësaj, Prokuroria i kundëragrumenton mbrojtjes duke thënë se kërkesa është paraqitur me kohë dhe lidhet me zbulimin e materialeve që janë të rëndësishme për akuzat në këtë çështje, si dhe nuk shkaktojnë paragjykim ndaj mbrojtjes.

Në anën tjetër, gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se Prokuroria ka treguar arsye të vlefshme që e justifikojnë ndryshimin e afatit të 17 shkurtit 2025, për qëllime të zbulimit të materialeve shtesë.

Sipas gjyqtares Masselot, këto materiale ndonëse nuk janë të kufizuara në numër, ato janë të kufizuara në shtrirje, vëllim dhe kompleksitet. Po ashtu, ka thënë se këto materiale nuk paraqesin aspekte të reja të çështjes së ZPS-së, por kryesisht plotësojnë, sqarojnë ose ofrojnë përkthime të artikujve të zbuluar më parë.

Gjyqtarja ka konstatuar se pavarësisht se procedurat paraprake kanë hyrë në një fazë të avancuar, çështja ende nuk i është kaluar një trupi gjykues dhe se nuk është caktuar data për fillimin e paraqitjes së provave nga Prokuroria, Në këtë kontekst, Masselot, ka vlerësuar se ekziston kohë e mjaftueshme për shqyrtimin e materialeve shtesë përpara fillimit të procesit gjyqësor.

Masselot ka konstatuar se kërkesa e mbrojtjes për një procedurë formale të ndryshimit të listës së provave është e panevojshme. Ka arsyetuar se meqë lista e provave ende nuk ishte dorëzuar, kërkesa për autorizim për të zbuluar materialet shtesë nënkupton edhe përfshirjen e tyre në listën e provave.

Si rrjedhojë, u miratua kërkesa e Prokurorisë dhe u refuzua kërkesa e mbrojtjes për të udhëzuar Prokurorinë që të riparaqes listë të provave dhe dosje paraprake të ndryshuar.

Ndërsa, për materialet që duhet të zbulohen, Prokuroria u urdhërua që ta bëjë këtë deri më 22 tetor 2025.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button