Gjykata Supreme hedh poshtë padinë e një biznesi ndaj ZRRE-së për tregun e lirë

Kolegji i Gjykatës Supreme ka hedhur poshtë padinë e paditësit: “F. M.”, B.I, i njohur me emrin tregtar N.T.P “ACN”, kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), me të cilën ka kërkuar shfuqizimin e Udhëzuesit për Daljen e Konsumatorëve në Treg të Lirë të Energjisë Elektrike, si e palejueshme.
Gjykata përmes aktgjykimit PA.nr.24/2025, vlerësoi se akti i kontestuar nuk përmban elementet e një akti nënligjor normativ, dhe si rrjedhojë nuk janë plotësuar kushtet për shqyrtim të mëtejshëm të aktit të kontestuar nga paditësi.
“Në këtë rast akti i kontestuar: “Udhëzuesi për daljen e konsumatorëve në tregun e lirë të energjisë elektrike”, i publikuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, nuk përmban norma juridike me fuqi detyruese, por norma të natyrës informuese dhe orientuese për konsumatorët lidhur me hapat konkret që duhet ndjekur për kalimin në tregun e lirë të energjisë elektrike. Andaj, Gjykata përmes këtij aktgjykimi ka bërë të qartë se ky Udhëzues nuk është akt me karakter normativ, pasi nuk krijon, ndryshon apo shfuqizon norma juridike. Për më tepër ai nuk prodhon efekte juridike për palët në mënyrë detyruese, andaj si i tillë, nuk mund të jetë objekt i padisë për shfuqizim si akt nënligjor, për shkak se nuk i plotëson kriteret ligjore që e karakterizojnë një akt juridik normativ”.
Për këtë arsye, udhëzuesi nuk mund të jetë objekt shqyrtimi për shfuqizim nga gjykata, në kuptimin e kontrollit të ligjshmërisë së akteve nënligjore normative, pasi nuk është akt normativ në vetvete, por një dokument informues pa efekt juridik detyrues.
Gjykata Supreme, në referim të nenit 10 paragraf 4 të LKA-së, vlerësoi se kjo gjykatë, gjykon sipas revizionit dhe si shkallë e parë dhe e vetme, ndaj kërkesëpadive për shfuqizimin e një akti nën-ligjor normativ, të gjitha paditë e tjera gjykohen në gjykatën e shkallës së parë si gjykatë kompetente.



