Cili mund të jetë dënimi për ministren Hajdari dhe bashkëpunëtorët e saj, nëse shpallen fajtorë?

Prokuroria Speciale e Kosovës të martën ngriti aktakuzë për rastin e rezervave shtetërore ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit, zëvendëssekretarit të ministrisë, Irfan Lipovicës, drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Garës dhe afaristit Ridvan Muharremit “Ridit”.
Keqpërdorimi i pozitës zyrtare
Sipas aktakuzës, ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari ngarkohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje me dy zyrtarët, Hafiz Garën dhe Irfan Lipovicën.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kjo vepër është e dënueshme me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet. Por aktakuza veprën penale të zyrtarëve dhe drejtueses së MINT-it e lidh edhe me paragrafin e dytë të nenit 414 të Kodit Penal, ku theksohet se nëse dëmi kalon vlerën e pesë mijë eurove, kjo vepër penale është e dënueshme me gjobë dhe burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.
Dosja e Prokurorisë ndaj Hajdarit dhe zyrtarëve të saj sqaron se dëmi është rreth tre milionë euro.
Duke qenë se vepra penale është në bashkëkryerje, neni 31 i Kodit Penal specifikon se “secili prej tyre është përgjegjës dhe dënohet me dënimin e paraparë për vepër penale”.
Me këtë vepër penale ngarkohet edhe afaristi Ridvan Muharremi i cili ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit, rrjedhimisht bazuar në nenin 31 edhe për Muharremin pritet të shqiptohet një dënim bazuar në nenin 414 të Kodit Penal me burgim tre deri në dhjetë vjet.
Zbulimi i fshehtësisë shtetërore
I pandehuri Hafiz Gara ngarkohet edhe me veprën penale të zbulimit të fshehtësisë zyrtare që sipas Kodit Penal të Kosovës, nenit 426 paragrafit 1, dënohet me me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, Rozeta Hajdari, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica ngarkohen që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 (par.1) lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, që rrjedhimisht nënkupton se secili prej zyrtarëve të MINT-it mund të dënohen me burgim nga gjashtë deri në tre vjet.
Ndalimi i funksioneve në shërbime publike dhe kompensim i dëmit
Krahas kësaj, në rast se të njëjtët shpallen fajtor për këto vepra penale, Prokuroria Speciale ka kërkuar që Rozeta Hajdarit, Hafiz Garës dhe Irfan Lipovicës t’u shqiptohet dënim plotësues që lidhet me kompensimin e humbjes apo dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprës penale si dhe ndalimi i ushtrimit të funksionit në administrate publike apo funksioneve në shërbime publike, pasi që janë përmbushur kushtet ligjore të përcaktuara me ligj.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, nenit 62 të dënuarit mund të ia ndalojë ushtrimin e funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik prej një (1) deri në pesë (5) vjet pas mbajtjes së dënimit me burgim, nëse personi i tillë ka keqpërdorur këto funksione dhe është dënuar me burgim.
Porse, paragrafi 3 i këtij neni thotë se “Gjykata ia ndalon një personi zyrtar ushtrimin e funksionit në administratë publike apo funksioneve të shërbimeve publike prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet pas mbajtjes së dënimit me burgim, nëse personi është dënuar për ndonjë nga veprat që përfshihen në Kapitullin XXXIII të këtij Kodi”.
Duke qenë se Rozeta Hajdari, Ifran Lipovica dhe Hafiz Gara ngarkohen për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe zbulimit të fshehtësisë zyrtare, që është pjesë e veprave penale të kapitullit XXXIII, për të njëjtët mund të vlejë ndalimi sipas paragrafit 3 të nenit 62.



