Lista e LDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit, për cilat parti ka ftesë Abdixhiku?

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të hënën mori besimin e kryesisë së partisë për të qenë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Për t’u zyrtarizuar, Abdixhiku duhet të marrë edhe miratimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Në një konferencë për media, ai foli edhe për listën e partisë në garën për kuvend e qeveri.
Abdixhiku u shpreh se mirëpret NISMA-n, me në krye Fatmir Limaj, t’i bashkohet listës së LDK-së.
Krahas, Limajt, ai u shpreh i gatshëm t’i mirëpres edhe partitë e tjera.
“LDK ka vendosur në kryesi se do të garojë e vetme por që brenda listës së LDK-së do të zhvillojë diskutime me individ, aktorë dhe besa edhe parti politike që mund të jenë pjesë e listës së LDK-së. Të gjitha diskutimet që i kemi pasur deri më tani në këtë vendim të kryesisë janë hapur rrugë që të përfshihen në një listë të madhe dhe përbashkuese në këtë garë nacionale… LDK do të kujdeset që një pjesë të listës së vet ta hapë për partitë e tjera, përfshirë edhe zotërin Limaj me deputetët e vet. Për këtë çështje do të zhvillojmë bisedime ditëve në vijim por le të themi se kemi gatishmëri. Siç kemi gatishmëri edhe për partitë të tjera. Demokristianët, Partinë e Drejtësisë, AKR-në. Ne jemi të hapur për parti por edhe për individ”, tha Abdixhiku në konferencë për media.
Sipas tij, LDK është alternativa, siç tha ai “kundrejt një pushteti populist”.
“Le të punojmë që mos të ketë rezultat të njëjtë që pastaj të na kthen në bllokadë. Tani po e shihni se po përballemi me një regjim jo demokratik i cili qëndron në zyrë pa legjitimitet qytetarë dhe është në gjendje të bllokojë qytete, përfshirë edhe kryeqytetin. Po ashtu, është në gjendje të mos zbatojë as një vendim të gjykatave, as Kushtetueses, Supremes dhe i cili mendje ne ka në bllokadë dhe sabotim. Në rrethana të tilla të bësh të gjithë këtë përpjekje dhe në fund të legjitimosh një gjë të tillë do të ishte gabim i pafalshme. LDK është alternativë e populizmit të tanishëm”, u shpreh Abdixhiku, teksa foli edhe për koalicionet paszgjedhore.


