Zgjedhjet në Serbi: A do të jetë sot fundi i sundimit 14-vjeçar të Vuçiqit?

Serbia voton sot, më 25 tetor, në zgjedhje që mund të përcaktojnë të ardhmen politike të presidentit Aleksandar Vuçiq. Pas 14 vitesh në pushtet, ai përballet me sfidën më të madhe politike, ndërsa lëvizja e fuqishme protestuese e studentëve synon t’i japë fund dominimit të tij politik.

Aleksandar Vuçiq po zhvillon një fushatë zgjedhore në të cilën përpiqet të paraqitet si një politikan i afërt me qytetarët. Mediat serbe, të cilat sipas raportimit të medias gjermane Tagesschau, janë në masë të madhe nën kontrollin e tij, transmetojnë vazhdimisht pamje nga aktivitetet e tij në terren.

Në videot e publikuara nga mediat tabloide, Vuçiq shihet duke buzëqeshur dhe duartrokitur në një shesh fshati në Miroc, ndërsa para tij vallëzojnë fëmijë me veshje tradicionale. Në pamje të tjera, ai përkëdhel këlyshë qensh dhe kuaj, provon ushqimet e banorëve dhe shfaqet duke ngrënë burek apo duke përgatitur ushqime tradicionale.

Megjithatë, sipas analizës së medias gjermane, takimet e tij me qytetarët zhvillohen kryesisht në ambiente të kontrolluara. Edhe aktivitetet e fushatës zgjedhore organizohen në sheshe dhe salla të mëdha, ku Vuçiq paraqitet para mbështetësve të tij.

Vuçiqi sulmon lëvizjen studentore –

Një nga elementet kryesore të fushatës së presidentit serb është përpjekja për të diskredituar lëvizjen studentore, e cila është shndërruar në një nga sfidat më të mëdha për pushtetin e tij.

Vuçiq pretendon se studentët nuk janë të pavarur në vendimmarrje dhe ka paralajmëruar se do të zbulojë se nga kush financohen fushatat e tyre në rrjetet sociale.

“Studentët ju thonë se vendimet i marrin në plenum. Çfarë marrëzie! Së shpejti do të zbulojmë se nga kush i kanë marrë të gjitha paratë për fushatat e tyre në rrjetet sociale. Ata po përpiqen të shkatërrojnë shoqërinë tradicionale serbe”, ka deklaruar Vuçiq para mbështetësve të tij.

Ndërkohë, mediat proqeveritare po përhapin teori konspirative për lëvizjen studentore, duke e paraqitur atë si një përpjekje të dhunshme për rrëzimin e pushtetit, të organizuar nga shërbime të huaja të inteligjencës.

Sipas këtyre pretendimeve, protestat përbëjnë një “revolucion me ngjyra” të orientuar nga Perëndimi, të ngjashëm me zhvillimet në Ukrainë.

A do të arrijë Vuçiqi të ruajë pushtetin?

Zgjedhjet e sotme paraqesin një moment të rëndësishëm për të ardhmen politike të Serbisë. Vuçiq synon të konsolidojë sërish pushtetin e tij, ndërsa pakënaqësia qytetare dhe mobilizimi i studentëve kanë vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e dominimit të tij politik.

Artikuj të tjerë

Back to top button