LDK akuzon qeverisjen e LVV-së në Gjilan: 45 mantelbardhë po dërgohen në shtëpi

Zyrtari i LDK-së në Gjilan, Arbër Ismajli, ka akuzuar Komunën e Gjilanit për vendimin për të mos vazhduar kontratat e 45 punonjësve shëndetësorë nga 1 dhjetori.

Ai shton se ky veprim mund ta fusë shëndetësinë primare “në krizën më të thellë”.

“Nga 1 dhjetori, 45 mantelbardhë, mjekë e teknik, po dërgohen në shtëpi sepse Komuna nuk po ua vazhdon kontratat. Vendim skandaloz dhe dëshmi e keqmenaxhimit të thellë”, u shpreh ai.

Ismajli gjithashtu e kritikoi atë që e quajti hipokrizi politike, duke rikujtuar deklaratat e së kaluarës se punëtorët rrezikonin vendin e punës vetëm në rast të ndërrimit të pushtetit. “Sot po tregoni fytyrën e vërtetë, sepse pa u ndërruar pushteti, po i largoni nga puna vetë njerëzit që e kanë mbajtur sistemin gjallë”, tha ai, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit nga radhët e kësj partie, Alban Hysenit.

Ai shtoi se shumë prej këtyre profesionistëve “nuk janë paguar me rregull për muaj të tërë”, ndërsa tani po përjashtohen edhe nga ushtrimi i profesionit, duke rrezikuar që qytetarët të mbesin pa shërbime shëndetësore.

“Kjo është fyese dhe e papranueshme për një institucion që duhet t’i mbrojë punëtorët, e jo t’i braktisë”, shtoi ai.

Ai i bëri thirrje Komunës së Gjilanit të marrë masa urgjente për të gjetur zgjidhje ligjore për vazhdimin e kontratave të personelit shëndetësor dhe për sigurimin e pagave të prapambetura.

Artikuj të tjerë

Back to top button