Prishtina nën vëzhgim -Gjobat e trafikut shkojnë direkt në shtëpi

Në Prishtinë tashmë janë vendosur 24 kamera me njohje automatike të targave, 6 kamera videovezhguese multisensor dhe një kamerë rrotulluese që mbulojnë gjithë qytetin.

Të gjithë qytetarët që vozisin në zonat më të ngarkuara të kryeqytetit do të monitorohen në nëntë lokacione nga këto kamera. Në rast se konstatohet një shkelje në trafik, dënimi do t’u shkojë direkt në shtëpi.

Nga Policia e Kosovës thuhet se: “Me anë të këtyre kamerave do të mundësohet identifikimi në kohë reale i kundërvajtjeve, siç janë tejkalimi i shpejtësisë, mosrespektimi i semaforëve, ndalimi në vende të palejuara dhe shkelje të tjera sipas Ligjit për rregullat e trafikut rrugor.”

Ish-zv. ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, tha se kjo strategji është praktikë e njohur ndërkombëtare dhe mund të ndikojë dukshëm në uljen e numrit të aksidenteve.

“Vendosja e kamerave nëpër qytet, për shqiptimin e gjobave dhe për mbarëvajtjen e komunikacionit rrugor, ka dhënë rezultate edhe në bazë të praktikave ndërkombëtare, duke ulur ndjeshëm numrin e aksidenteve, qoftë me fatalitet, qoftë të kundërvajtjeve,” shtoi Hoxha, raporton Dukagjini.

Ky projekt është i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Kryeqytetit, si pjesë e strategjisë për forcimin e sigurisë publike dhe menaxhimin e integruar të trafikut urban.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button