Specialëve në veri u ndalet një racion ushqimi

Policëve të njësive speciale që angazhohen në plane operative dhe punojnë me orare 12-orëshe në pjesën e veriut të Kosovës u është reduktuar numri i shujtave ushqimore nga dy në një.

Ky reduktim ka ardhur si pasojë e mungesës së shujtave ushqimore, të cilat ishin të parashikuara me kontratë paraprake të Policisë së Kosovës, raporton Kallxo.com

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, i ka thënë mediumit se situata është e përkohshme dhe po ndodh në fund të vitit, kur mjetet dhe shujtat e kontraktuara janë konsumuar.

Sipas tij, problemet kanë lindur edhe nga fakti se shujtat janë shpërndarë jo vetëm për njësitë në plane operative, por edhe për policë të tjerë të angazhuar në veri.

“Po, kemi informacione për këtë çështje. A e din cili është problemi? Jemi në fund të vitit dhe menaxhmenti i Policisë së Kosovës, Drejtoria e Financave i bën në kontratë trivjeçare, puna e planeve operative që janë shku edhe njësi tjera shumë, shujtat janë harxhu, janë harxhu mjetet, por kjo është vetëm për këtë muaj”, citohet të ketë deklaruar Hoti.

“Është ndalë shujta 1 javë ditë për policët që shkojnë në Mitrovicë të Veriut, d.m.th. edhe ata që nuk janë në plan operativ edhe ata e marrin shujtën, për atë janë harxhu shujtat dhe për këtë kemi ardhë në këtë situatë. Zgjidhja në këtë rast parashihet të bëhet kontrata e re. Por mjetet që janë lëshu nga Qeveria, pra ka për paga, shtesa dhe për këto shpenzime të vogla”, ka shtuar ai.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button